Janevska: Pas forcimit të kërkimit shkencor në vend, synojmë lidhjen me rrjetet rajonale dhe botërore

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, deklaroi se Maqedonia ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin e veprimtarisë shkencoro-kërkimore në nivel kombëtar dhe se tashmë vëmendja është përqendruar te integrimi në rrjetet kërkimore rajonale e globale. Ajo i bëri këto komente në takimin ministror të Platformës Drejtuese për Kërkimin dhe Inovacionin për Ballkanin Perëndimor, që po zhvillohet në Bruksel nën organizimin e Komisionit Evropian.

Sipas Janevskës, gjatë një kohe të shkurtër buxheti për shkencën është dyfishuar, është hartuar një kuadër i ri strategjik, janë përgatitur zgjidhje të reja ligjore dhe është përmirësuar infrastruktura kombëtare kërkimore. Ajo theksoi se nismat individuale inovative tashmë janë shndërruar në një ekosistem kombëtar të organizuar të inovacionit.

Të lidhura

None found

“Kemi formuar Këshillin kombëtar për Inovacion, sipërmarrësi dhe zhvillim teknologjik, i cili është përgjegjës për koordinimin e aktiviteteve dhe nismave kombëtare. Gjithashtu, kemi themeluar një Agjenci të veçantë për Inovacion, zhvillim shkencoro-teknologjik dhe sipërmarrësi, e cila do t’u lehtësojë kompanive, studiuesve dhe inovatorëve qasjen në mjete financiare dhe shërbime”, tha Janevska.

Siç njoftojnë nga MASH, ministrja bëri të ditur se në Maqedoni funksionojnë 7 qendra për transferimin e teknologjive, 5 inkubatorë teknologjikë dhe një park privat shkencor-teknologjik. Ndërkohë, po punohet për krijimin e një parku virtual shkencor-teknologjik, si dhe të parkut të parë teknologjik që do të jetë plotësisht nën kompetencën e shtetit. Ajo shtoi se projekti VEZILKA përbën pikën e parë kombëtare të kontaktit në rrjetin evropian të fabrikave të inteligjencës artificiale.

Janevska nënvizoi se prioriteti aktual është frenimi i “largimit të trurit” dhe krijimi i kushteve që studiuesit e rinj të qëndrojnë në vend, ku mund të zhvillojnë potencialin e tyre personal. Ministrja tha se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me probleme të ngjashme në shkencë dhe kërkim shkencor, por kanë edhe mundësi të barabarta për të kontribuar në përballimin e përbashkët të këtyre sfidave në nivel rajonal, thuhet në njoftimin e MSH-së./Telegrafi/


Shtuar më 22.10.2026 15:17