Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se pret mesazhe të fuqishme për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe bisedime të rëndësishme e rezultate konkrete nga Samiti i Procesit të Berlinit, i cili po zhvillohet sot në Mal të Zi.
Para nisjes së takimit, Mickoski u shpreh se Maqedonia e ka fituar prej kohësh të drejtën për të qenë pjesë e BE-së, por negociatat ende nuk kanë filluar për shkak të disa arsyeve artificiale. “Pres sot mesazhe shumë të forta për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër përfshij edhe vendin tim. Dosja e Maqedonisë është mjaft komplekse”, tha ai.
Të lidhura
None found
Kreu i Qeverisë së RMV-së bëri të ditur se gjatë fjalimit të tij do të nënvizojë përkushtimin e kabinetit ndaj reformave të kërkuara nga BE-ja dhe procesit të integrimit evropian. Sipas tij, kjo ka qenë edhe qasja e Qeverisë deri tani dhe do të vijojë të mbetet e tillë në të ardhmen.
Gjatë deklarimeve të tij, Mickoski iu referua edhe zhvillimeve të ndryshme globale, mes tyre luftës në Ukrainë, luftës me Iranin, vështirësive në tregjet financiare dhe protestave që po zhvillohen në të gjithë Evropën./Telegrafi/





