Fadil Ademi, trajneri i Ulpianës, ka vlerësuar ecurinë e skuadrës në Ligën e Dytë të Kosovës, ku ekipi nga Lipjani mban momentalisht vendin e parë dhe kërkon të sigurojë kalimin në Ligën e Parë.
Në një intervistë për Telegrafin, ai u shpreh i kënaqur me paraqitjet e futbollistëve dhe theksoi se organizimi i klubit, si dhe angazhimi i lojtarëve, kanë qenë ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rezultatet pozitive të deritanishme.
Të lidhura
None found
Lidhur me garën për ngjitje, trajneri i Ulpianës nënvizoi se konkurrenca është e fortë dhe se skuadra duhet të ruajë përqendrimin në çdo ndeshje, ndërsa shprehu mirënjohje për tifozët që e mbështesin vazhdimisht.
I pyetur për formën shumë të mirë të Ulpianës, e cila prin në tabelën e Ligës së Dytë, dhe për faktorët që e kanë sjellë në këtë pozitë, Ademi u përgjigj se ecuria ka qenë shumë e mirë falë paraqitjeve pozitive të futbollistëve dhe organizimit të klubit, veçanërisht nën udhëheqjen e re të vëllezërve Dragaqina. Sipas tij, këta elementë kanë ndikuar që skuadra të ketë rezultate të mira dhe të qëndrojë në krye të renditjes.
Sa u përket mundësive për inkuadrim në Ligën e Parë, Ademi tha se Ulpiana është pretendente, por se të paktën pesë skuadra të tjera synojnë të njëjtin objektiv. Ai shtoi se është ende herët për parashikime, pasi deri në fund të kampionatit ka shumë ndeshje. Sipas tij, ekipi ka potencialin e duhur për ta arritur këtë synim, por është e domosdoshme të ruhet përqendrimi dhe të jepet maksimumi në çdo takim, sepse Liga e Dytë është një garë shumë e paparashikueshme.
Për garën e hapur për vendin e parë dhe ndjekjen nga Sharri, Ademi theksoi se beteja mbetet e hapur jo vetëm me Sharrin, por edhe me Drinin, Besën e Artë dhe F.Kosovën, si dhe me skuadra të tjera që synojnë pozitat e para. Ai u shpreh se do të përpiqen ta ruajnë vazhdimësinë e rezultateve dhe qasjen që futbollistët po tregojnë në çdo ndeshje. Angazhimi, vullneti dhe dëshira e lojtarëve për të dhënë kontributin maksimal, sipas tij, janë shumë të rëndësishme dhe shpresojnë t’i mbajnë këto elemente deri në përfundim të kampionatit.
I pyetur për kënaqësinë me angazhimin dhe nivelin e futbollistëve, si dhe për hapësirat e përmirësimit, Ademi u shpreh shumë i kënaqur. Ai kujtoi se nga 11 ndeshje të zhvilluara, Ulpiana ka arritur 10 fitore dhe një barazim, pa pësuar asnjë humbje, çka përbën një ecuri shumë të mirë. Ai shtoi se do të mundohen që atmosfera pozitive dhe buzëqeshja e futbollistëve të vazhdojnë sa më gjatë, ndërsa pranoi se gjithmonë ka vend për përmirësim dhe se duhet punë e vazhdueshme për t’u bërë edhe më të mirë.
Në mesazhin për tifozët, të cilët presin që skuadra të vazhdojë me këto rezultate dhe ta sigurojë ngjitjen në Ligën e Parë në fund të sezonit, Ademi i falënderoi pa masë për mbështetjen dhe praninë në çdo ndeshje, si në Lipjan ashtu edhe në udhëtimet jashtë tij. Ai i siguroi se skuadra do të vazhdojë të tregojë shpirt garues deri në momentin e fundit, me synimin e vetëm që Ulpianës t’ia kthejnë namin e dikurshëm.







