Merz kërkon hapa konkretë në bisedimet Kosovë–Serbi

Friedrich Merz, kancelari i Gjermanisë, ka paralajmëruar se ngecja aktuale në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë po dëmton të gjitha palët e përfshira, duke u bërë thirrje atyre që të tregojnë përgjegjësi dhe të çojnë procesin përpara.

Këto deklarata Merz i dha gjatë fjalës së tij hapëse në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili po zhvillohet sot në Mal të Zi.

Të lidhura

None found

“Në samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në Londër në vitin 2018, ne refuzuam së bashku gjuhën e urrejtjes dhe lavdërimin e kriminelëve të luftës. Për t’u siguruar fëmijëve tanë një të ardhme më të mirë, nuk duhet t’i shtojmë benzinë zjarrit, por të ecim përpara duke u mbështetur në vlerat evropiane. E njëjta gjë vlen edhe për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve. Në gjendjen e tanishme, ky proces po i bllokon të gjithë. Për këtë arsye, ne bëjmë thirrje urgjente për përgjegjësi dhe avancim”, theksoi Merz.

Kancelari gjerman nënvizoi se një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm, paqësor dhe me zhvillim ekonomik është vendimtar për të ardhmen e Bashkimit Evropian, duke ripohuar përkushtimin e Gjermanisë ndaj rajonit dhe Procesit të Berlinit.

Gjatë fjalimit të tij, Merz u fokusua edhe në domosdoshmërinë e vijimit të zgjerimit të BE-së, duke vlerësuar se anëtarësimi është një qëllim i arritshëm nëse vendet e rajonit tregojnë vendosmëri dhe zbatojnë reformat e kërkuara.

Ai theksoi se integrimi gradual në BE duhet të vazhdojë të bazohet në meritokraci, ndërsa reformat dhe vullneti politik duhet të burojnë nga vetë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Merz trajtoi gjithashtu protestat që po ndodhin në rajon dhe në vendet e BE-së, duke theksuar se dhuna nuk duhet të jetë kurrë një alternativë për asnjërën palë. Ai paralajmëroi kundër retorikës ndarëse, polarizimit dhe lartësimit të kriminelëve të luftës.

Sipas tij, bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit, pajtimi dhe respektimi i vlerave evropiane janë elemente kyçe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë.

Kancelari gjerman vlerësoi se gjatë 12 viteve të Procesit të Berlinit janë shënuar arritje në fushat e lëvizjes së lirë të punëtorëve, investimeve, turizmit, agjendës së gjelbër dhe shërbimeve digjitale.

Ai përmendi po ashtu përparimin e procesit të zgjerimit, duke vënë në dukje se Mali i Zi ndodhet pranë finalizimit të rrugës së tij drejt anëtarësimit.

Merz siguroi se Gjermania do të vijojë të mbështesë Procesin e Berlinit dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas mbylljes së fjalimit të kancelarit Merz, seancat e Samitit të Procesit të Berlinit po vazhdojnë me dyer të mbyllura për mediat.


Shtuar më 22.10.2026 11:46