J.J po përballet me akuzat për “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. Aktakuza ndaj tij është ngritur nga Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore të Pejës.
Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur më 21 mars 2026, rreth orës 15:00, në Bokshiq të Klinës. Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshjeje për pronën mes viktimës dhe babait, J.J dyshohet se mori nga shtëpia një armë zjarri dhe qëlloi katër herë drejt vëllait të tij.
Të lidhura
None found
Vëllai i tij, Faruk Isufi, ndërroi jetë më pas në Spitalin e Pejës. Plagët i kishin dëmtuar arterien e këmbës së majtë, duke i shkaktuar gjakderdhje të madhe, si të brendshme, ashtu edhe të jashtme.
Në aktakuzë thuhet gjithashtu se i pandehuri mbante dhe posedonte pa autorizim një pistoletë të kalibrit 9×19 mm, një karikator dhe 10 fishekë të të njëjtit kalibër. Për armën ai nuk kishte leje të lëshuar nga organet kompetente.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Pejës, me ngritjen e aktakuzës, prokurori i shtetit i ka kërkuar gjykatës kompetente që, pasi të zhvillojë shqyrtimin gjyqësor dhe të administrojë provat, ta shpallë fajtor të pandehurin dhe t’i shqiptojë dënim sipas ligjit për veprat penale që i ngarkohen.






