Pamjet filmike të një ngjarjeje tragjike kanë dalë në dritë, ku forcat e rendit qëlluan mbi një automjet me dy gra brenda, të cilat dyshoheshin se kishin marrë një paketë pelenash pa paguar në Shtetet e Bashkuara.
Si pasojë e breshërisë së plumbave, humbi jetën Cohen Wiley, një foshnjë vetëm 1 vjeç, që mbahej në krahë nga e ëma.
Të lidhura
None found
Incidenti u regjistrua më 14 qershor në Senatobia, një zonë pranë Memfisit, pas një njoftimi që policia mori për një grabitje të mundshme. Brenda mjetit udhëtonin Velesiya Wiley, nëna e të miturit, së bashku me shoqen e saj, Latoya Ferrell.
Në videon e shpërndarë për publikun, shihen efektivët teksa bllokojnë rrugën e veturës dhe i bërtasin dy grave që të ndalojnë. Më pas, drejtuesja e mjetit bën një lëvizje të beftë në kahun e policëve, gjë që i shtyu ata të qëllonin. Njëri nga plumbat e goditi fëmijën për vdekje.
Dokumentacioni policor tregon se Wiley e kishte ngritur foshnjën në krahë pikërisht për t’u sinjalizuar efektivëve praninë e një të mituri në automjet. Në shkresat zyrtare përmendet edhe oficeri Hunter Foster, i cili qëlloi drejt makinës, duke i marrë jetën 1-vjeçarit Cohen Wiley dhe duke e lënë të plagosur Ferrell.
Autoritetet hetimore të Misisipit, që morën në dorë rastin, thanë se gruaja që drejtonte mjetin e kishte vënë në rrezik njërin prej oficerëve, duke u nisur me makinë në drejtim të tij.
Ndërkaq, prokurorja e përgjithshme e shtetit, Lynn Fitch, doli në përfundimin se të shtënat nga ana e policisë ishin të ligjshme.
Por Ben Crump, avokati i të drejtave civile që mbron familjen e viktimës, bëri publike gjetjet e një ekspertize mjekoligjore të pavarur. Sipas këtij raporti, plumbi e kishte goditur foshnjën nga krahu i makinës dhe jo nga balli i saj, duke hedhur dyshime mbi versionin zyrtar të ngjarjes.





