Aksident i rëndë në autostradën Fier-Lushnje/ Makina bie nga ura në kanal, plagosen dy bashkëshortët

Dy bashkëshortë mbetën të plagosur në një aksident të rëndë në autostradën Fier-Lushnjë, pranë rrethrrotullimit të Kolonjës, në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Nga ngjarja nuk pati viktima.

Rreth orës 01:00, fuoristrada me të cilën udhëtonte çifti doli nga rruga dhe goditi barrierat metalike. Pasi i kapërceu ato, automjeti ra nga ura në një kanal, rreth pesë metra më poshtë.

Të lidhura

None found

Zjarrfikësit e Lushnjës dhe personeli mjekësor i ambulancës ndërhynë menjëherë për të nxjerrë nga mjeti dy bashkëshortët. Më pas, të lënduarit u dërguan me urgjencë në spitalin e Lushnjës, ku po trajtohen për plagët e shumta që morën në aksident.

Të dhënat e para të Policisë Rrugore ngrenë dyshimin se drejtuesi humbi kontrollin e fuoristradës për shkak të shpejtësisë së lartë dhe lagështisë së madhe në asfalt, të krijuar nga reshjet intensive të shiut. Si pasojë, ai nuk arriti të hynte në rrethrrotullim.

Për zbardhjen e plotë të shkaqeve priten rezultatet e ekspertizës, ndërkohë që policia po vazhdon hetimet.

Rrethrrotullimi i Kolonjës njihet si një prej segmenteve problematike të këtij aksi. Në këtë pikë kanë ndodhur edhe më herët aksidente të rënda, mes të cilave disa me pasoja fatale.


Shtuar më 22.10.2026 08:54