“Nuk mund të pranoj që një polic të shkelë një 16-vjeçar”, Jupi përplaset me Moravën dhe Bidon

Një përplasje e fortë verbale u shënua mbrëmjen e kësaj të mërkure në emisionin “Now” të drejtuar nga Erla Mëhilli në Euronews Albania. Në debat morën pjesë pedagogia Taulanta Jupi, gazetarja Kostana Morava dhe deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido.

Jupi kritikoi ashpër dhunën ndaj protestuesve pasi ata ishin neutralizuar, duke e konsideruar një sjellje të tillë shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

Të lidhura

None found

Kostana Morava argumentoi se protestat shpesh përfundojnë në kaos për shkak të turmës, ndërsa Ardit Bido nënvizoi se përdorimi i forcës i takon vetëm shtetit dhe nuk mund të ushtrohet nga persona apo grupe të tjera.

Jupi: Kam 25 vite që jam çdo ditë në kontakt me studentët, por nuk dua ta relativizoj këtë çështje. Nëse një efektiv neutralizon një fëmijë, një 16-vjeçar apo një 20-vjeçar dhe më pas e godet me shkopinj gome, shkelma apo e shkel me këmbë, atëherë kemi një shkelje flagrante të së drejtës për të protestuar.

Morava: Përballë policisë është një turmë që krijon anarshi. A mund ta neutralizoni në mënyrë njerëzore një grup të madh të rinjsh? Kjo është e pamundur dhe unë nuk jam dakord me këtë qasje. Aq më tepër kur bëhet fjalë për fëmijë me maska dhe të armatosur me armë të ftohta. Kjo nuk është normale.

Bido: Sipas kësaj logjike, Taulanta, kur digjen institucionet dhe bizneset, duhet që policët të shkojnë dhe t’i puthin ata që po i kryejnë këto veprime?

Jupi: Si pedagoge, jam veçanërisht e ndjeshme kur shoh një fëmijë apo një person të neutralizuar që vazhdon të goditet me shkelma nga policia e shtetit, edhe pse ka të drejtat e veta. Gjatë nëntë ditëve, ajo nuk ka vepruar si polici e shtetit, por si një polici që mbron pushtetin e Edi Ramës.

Bido: Në debatin publik duhet të shprehemi qartë për një fakt të padiskutueshëm: forcën në një vend nuk mund ta ushtrojnë protestuesit, partitë politike apo individët. Këtë të drejtë e ka vetëm policia e shtetit dhe vetëm brenda kufijve të ligjit. Ajo që sapo thashë është e padiskutueshme.