Këshilltari i Kremlinit: Rusia pranon në parim rifillimin e bisedimeve me Ukrainën dhe SHBA-në në nëntor

Rusia është në parim e gatshme të rikthehet në tryezën e bisedimeve me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara gjatë muajit nëntor, me synim përfundimin e konfliktit. Këtë e deklaroi këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, pas takimit që presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi të mërkurën me të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff.

Sipas Reuters, Ushakov bëri të ditur se raundi i ardhshëm i negociatave duhet të synojë krijimin e një sistemi sigurie për Rusinë dhe Ukrainën pas përfundimit të luftës.

Të lidhura

None found

Negociatat e fundit mes tre palëve u zhvilluan në shkurt.

Ushakov tha për kanalin televiziv Vesti se takimi i radhës mund të mbahet në Abu Dhabi rreth mesit të nëntorit.

Gjatë takimit me Putinin, Witkoff e informoi atë për bisedimet e zhvilluara një ditë më parë në Oslo. Atje, i dërguari amerikan u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministrin norvegjez dhe presidentin finlandez.

Sipas Ushakov, Witkoff prezantoi disa qasje dhe elemente të reja në qëndrimet e evropianëve dhe të Kievit, por ato, sipas tij, nuk përfshinin shumë pika që mund të ndihmonin në zgjidhjen e krizës ukrainase.

Putin dhe i dërguari amerikan biseduan për tre orë edhe mbi zbatimin e marrëveshjes së 9 tetorit, të arritur mes presidentit rus dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump, lidhur me furnizimin e tregjeve amerikane dhe atyre botërore me naftë ruse.

Një tjetër temë e diskutimit ishte kriza në Iran, bëri të ditur Ushakov.

Këshilltari rus tha se Vladimir Putin vlerësoi se hapësira për diplomaci nuk është shteruar dhe se arritja e marrëveshjeve me Teheranin, partnerin strategjik të Rusisë, është e mundur dhe e nevojshme. Ai shtoi se Moska rikonfirmoi gatishmërinë për të vijuar ndihmën në kërkimin e zgjidhjeve politike dhe diplomatike për çështjen iraniane.


Shtuar më 21.10.2026 21:30