Më 21 tetor 1995, Remzi Hoxha u rrëmbye me forcë nga vendi i tij i punës në Tiranë. Tashmë kanë kaluar 31 vjet, por ende nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e veprimtarit të çështjes kombëtare. Familjarët vazhdojnë t’u kërkojnë institucioneve shqiptare përgjigje dhe drejtësi.
Për familjen, zbardhja e fatit të tij dhe gjetja e eshtrave mbeten kërkesë e vazhdueshme, me synimin që Hoxhës t’i jepet një varr.
Të lidhura
None found
Në përvjetorin e rrëmbimit, djali i tij, Ardian Hoxha, u bëri sërish thirrje organeve të drejtësisë në Shqipëri që ta zbardhin plotësisht çështjen dhe të përcaktojnë vendin ku janë eshtrat e të atit.
“Më 21 tetor 1995, babai im, Remzi Hoxha, u rrëmbye nga vendi i tij i punës në mes të Tiranës, në pikë të ditës, nga njerëzit e SHIK-ut të Sali Berishës. U torturua, u vra dhe trupi i tij u zhduk. Këtë e ka thënë gjykata shqiptare me vendim të prerë. Pra shteti e di kush e mori, kush e torturoi dhe kush e vrau. Vetëm një gjë nuk na e thotë prej 31 vitesh: ku e kanë lënë”, deklaroi Ardian Hoxha.
Familjarët kërkojnë veprime konkrete nga institucionet për të çuar deri në fund zbardhjen e çështjes. Kërkesa e tyre u është drejtuar Prokurorisë dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ata kërkojnë hapjen e arkivave të ish-Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), rifillimin e kërkimeve për eshtrat dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë informacione për ngjarjen.
Ardian Hoxha i bëri apel edhe kryeministrit të Shqipërisë që të mos heshtë për një çështje që prej tri dekadash rëndon mbi familjen. Ai theksoi se kërkesa e tyre nuk lidhet me hakmarrje apo interesa politike, por me të drejtën për të ditur të vërtetën dhe për t’i siguruar babait një varr.
Remzi Hoxha, me origjinë nga Maqedonia e Veriut, ishte veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare dhe jetonte në Shqipëri që prej vitit 1992. Më 21 tetor 1995, persona të veshur civilë e rrëmbyen. Sipas raportimeve, automjeti i përdorur në ngjarje kishte lidhje me SHIK-un e asaj kohe.
Hetimet gjyqësore arritën në përfundimin se Hoxha kishte vdekur në tetor të vitit 1995 nga torturat e ushtruara prej punonjësve të shërbimit informativ. Trupi i tij, megjithatë, nuk u gjet dhe nuk u përcaktua vendndodhja e mundshme e eshtrave.
Në nëntor të vitit 2012, Gjykata për Krimet e Rënda në Shqipëri e dënoi në mungesë Ilir Kumbaron me 15 vjet burgim për çështjen e rrëmbimit dhe vrasjes së Remzi Hoxhës. Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi u shpallën fajtorë, por përfituan nga amnistia.






