Erblin Osmani ka folur për përjetimin e debutimit me skuadrën e parë të Bayern Munichut dhe emocionet e posaçme që ndjeu kur luajti për Kombëtaren e Kosovës.
Futbollisti i ri kosovar tregoi se rrugëtimi drejt ekipit të parë nisi në fillim të këtij viti. Edhe pse atëherë ishte pjesë e U17-shave, iu dha mundësia të merrte pjesë në stërvitjet e ekipit të parë të klubit gjerman.
Të lidhura
None found
“Në ato stërvitje u paraqita mirë dhe shumë shpejt u shpërbleva me debutimin për ekipin profesionist”, u shpreh Osmani.
Ai e përshkroi debutimin si përmbushje të një dëshire të hershme dhe tha se ndihet krenar për ecurinë pozitive të karrierës së tij.
“Mendoj se çdo fëmijë ëndërron të debutojë si profesionist në një klub kaq të madh. Jam shumë krenar që gjërat kanë shkuar mirë dhe karriera ime ka marrë një drejtim kaq pozitiv”.
Osmani rrëfeu gjithashtu për herën e parë që veshi fanellën e Kosovës, duke e vlerësuar atë si një prej çasteve më të veçanta në karrierën e tij.
“Që në fëmijëri kam ëndërruar gjithmonë të luaj për Kosovën. Prindërit e mi janë gjithashtu nga Kosova, ndaj të isha atje ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme”, tha talenti kosovar për faqen zyrtare të Bayernit.
Të mërkurën, Osmani shënoi për Bayern Munichun në ndeshjen kundër Arsenalit në Ligën e Kampionëve për të rinj. Në stol për atë takim ishte edhe përforcimi i ri i Kosovës, Yll Gashi.





