Volodymyr Zelensky ka sinjalizuar se Ukraina mund të pranojë ndalimin e luftimeve përgjatë vijave aktuale të frontit, duke lejuar që territoret e pushtuara nga Rusia të mbeten përkohësisht nën kontrollin e Moskës, ndërsa do të vijonin bisedimet për paqen.
Gjatë një interviste për Fox News, presidenti ukrainas u pyet nëse do të ishte dakord me një marrëveshje që do të pezullonte luftimet në pozicionet ku ndodhen aktualisht palët.
Të lidhura
None found
“A do të pranonit një marrëveshje paqeje që do të ngrinte gjithçka siç është tani, me Ukrainën që mban 75% ose më shumë të territorit të saj?”, ishte pyetja drejtuar atij. “Po,” u përgjigj Zelensky.
Ai deklaroi se, në këtë moment, ngrirja e situatës është rruga më e mundshme për t’i dhënë fund luftës. Sipas tij, kjo mund të quhet armëpushim ose “ndaloni vrasjet”, siç e ka cilësuar Presidenti Trump.
“Ata nuk po fitojnë në fushën e betejës. Kjo është arsyeja pse ata duan të ushtrojnë të gjitha llojet e presionit mbi ne për të na dëbuar nga toka jonë. Nuk është e drejtë. Ne nuk mund të largohemi thjesht nga vendi ynë, nga shtëpitë tona. Bëhet fjalë për fëmijët tanë. Kjo është arsyeja pse themi të qëndrojmë aty ku jemi. Le t’i drejtohemi diplomacisë. Është një ide e shkëlqyer, armëpushimi që Presidenti i Shteteve të Bashkuara propozoi”, tha presidenti ukrainas.
Megjithatë, ai theksoi se ndalimi i përkohshëm i armiqësive do të përbënte vetëm fazën e parë. Për Ukrainën, çdo marrëveshje duhet të përfshijë garanci të fuqishme sigurie që Rusia të mos e rifillojë agresionin.
“Ky është, sigurisht, minimumi që na duhet nga Rusia sot. Pastaj do t’i drejtohemi presidentit dhe evropianëve dhe do të kërkojmë garanci sigurie”, u shpreh Zelensky.
“Gjëja më e rëndësishme është paqja, por edhe siguria e paqes. Nuk duhet të ketë frikë se pushtimi do të kthehet, se agresioni do të kthehet, se vrasjet do të kthehen. Ne duhet ta ndalojmë këtë, dhe kjo është arsyeja pse na duhet një ngrirje në luftime dhe bisedime”, shtoi ai.
Sipas Zelenskyt, Kievi do të kërkojë garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa do të ketë nevojë edhe për ndihmën e partnerëve për rindërtimin dhe ringritjen e vendit.
Qëndrimi i presidentit ukrainas vjen në një kohë kur Donald Trump po shton trysninë ndaj Kievit për të arritur një marrëveshje me Moskën.
Presidenti amerikan ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme idenë e ndalimit të luftimeve në vijat aktuale të frontit. Rusia, nga ana tjetër, vijon të kërkojë territore të tjera ukrainase, përfshirë zona të Donjetskut që aktualisht nuk kontrollohen prej saj.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, palët janë ende shumë larg një marrëveshjeje për statusin përfundimtar të territoreve të pushtuara dhe për mënyrën se si do të funksiononte sistemi i garancive të sigurisë pas luftës.
Moska vazhdon të kundërshtojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO, ndërsa Kievi kërkon garanci detyruese nga Uashingtoni dhe qeveritë evropiane për t’u mbrojtur nga një sulm i ri rus.
Zelensky e përshkroi ngrirjen e vijës aktuale të frontit si një mekanizëm për të kaluar nga përplasjet ushtarake te dialogu, dhe jo si zgjidhje përfundimtare të mosmarrëveshjes territoriale.
Ai vuri gjithashtu në krye të prioriteteve kthimin në Ukrainë të miliona qytetarëve që janë larguar për shkak të luftës.
“Na duhen 9.5 milionë njerëz që janë të shpërndarë kudo. Na duhen që ata të kthehen në Ukrainë, të jetojnë këtu dhe të rindërtojnë vendin e tyre”, përfundoi Zelensky.







