Java e 11-të e Ligës së Parë të Kosovës është përmbyllur me disa rezultate të rëndësishme, të cilat kanë sjellë ndryshime dhe rivalitet të fortë në renditjen e kampionatit.
Rilindja 1974, nën drejtimin e Behar Maliqit, regjistroi një sukses të thellë në transfertë, duke fituar 4-1 ndaj Suharekës. Tri pikët jashtë fushe i mori edhe Tefik Çanga, që mposhti Besën e Pejës me shifrat 3-1.
Të lidhura
None found
Prishtina e Re vazhdoi ecurinë pozitive me fitoren 3-1 ndaj Lepencit, ndërsa Liria ishte bindëse në përballjen me Kikën, të cilën e fitoi 4-0. Ferizaj, nga ana tjetër, mundi Trepçën 2-0 dhe vijoi paraqitjet e mira.
Vjosa triumfoi 3-0 kundër Mitrovicës, ndërsa Vëllaznimi fitoi 2-0 ndaj 2 Korrikut. Istogu mori një fitore minimale 1-0 përballë Ramiz Sadikut, kurse Trepça ’89 fitoi me të njëjtin rezultat në derbin ndaj Dinamos.
Prishtina e Re udhëheq klasifikimin pas 11 xhirove me 24 pikë. Liria ndodhet vetëm një pikë prapa, me 23 pikë, por ka zhvilluar një ndeshje më pak.
Rilindja 1974 mban vendin e tretë me 21 pikë dhe është një prej skuadrave që po paraqitet më së miri gjatë këtij sezoni. Pas saj renditet Trepça ’89 me 20 pikë, ndërsa Ferizaj dhe Dinamo kanë nga 19 pikë.
Suhareka dhe Istogu kanë grumbulluar nga 16 pikë dhe pozicionohen përkatësisht në vendet e shtata dhe të teta. 2 Korriku është i nënti me 15 pikë, ndërsa Vjosa dhe Vëllaznimi ndajnë nga 14 pikë. Besa e Pejës renditet e 12-ta me 12 pikë.
Trepça ndodhet në vendin e 13-të me 11 pikë. Ramiz Sadiku, Lepenci dhe Kika kanë nga nëntë pikë, ndërsa Tefik Çanga është parafundit me gjashtë pikë. Mitrovica mbyll tabelën me pesë pikë dhe ka një takim më pak, atë kundër Lirisë.
Prishtina e Re vazhdon ta mbajë kreun, por Liria mbetet shumë pranë dhe ka ende një ndeshje për të zhvilluar. Ndërkohë, Rilindja 1974 dhe Trepça ’89 vazhdojnë ta ndjekin nga afër dy skuadrat e para, duke e mbajtur të hapur garën për titull.




