Pas protestave kundër shtrenjtimit të jetesës, të cilat gjatë fundjavës u kthyen në përplasje me policinë, plaçkitje dhe dëmtime të pronës në disa qytete veriore, qeveria italiane miratoi një paketë të re masash për të parandaluar dhunën.
Kabineti i drejtuar nga kryeministrja Giorgia Meloni vendosi të dërgojë edhe 500 ushtarë në Milano dhe të krijojë një vepër të re penale për pjesëmarrjen e dhunshme në demonstrata. Masat përfshijnë ndëshkime më të rënda për aktet e dhunës, si dhe detyrimin e mundshëm financiar të prindërve kur fëmijët e tyre përfshihen në vandalizëm ose plaçkitje.
Të lidhura
None found
Personat që bëhen pjesë e një grupi prej të paktën pesë vetash, i cili rrezikon sigurinë publike gjatë protestave, mund të dënohen deri në pesë vjet burg dhe me gjobë deri në 20 mijë euro. Dënimi mund të jetë më i rëndë nëse protestuesit mbulojnë fytyrën ose shkaktojnë lëndime.
Autoritetet do të mund të kërkojnë që dëmet e shkaktuara të kompensohen menjëherë. Nëse përgjegjës për dëmin janë të mitur, pagesa mund t’u kërkohet prindërve të tyre.
Paketa zgjeron gjithashtu kompetencat e policisë për ndërhyrje ndaj të miturve. Të rinjtë 14 deri në 17 vjeç mund të ndalohen edhe kur nuk kanë kryer vepër penale, nëse ka prova se përbëjnë rrezik.
Sipas Ministrisë italiane të Mbrojtjes, ushtarët do të angazhohen për të rritur sigurinë në pika kyçe, për të mbikëqyrur zona të ndjeshme dhe për të shtuar kontrollet.
Megjithatë, qeveria nuk u dha ushtarëve kompetenca policore. Kjo ide ishte shqyrtuar më herët, por, sipas mediave italiane, u kundërshtua nga presidenti Sergio Mattarella.
Gjatë fundjavës, protesta u zhvilluan në disa qytete të veriut të Italisë, mes tyre edhe në Milano. Aty, grupe kryesisht të rinjsh plaçkitën dyqane, thyen xhama dhe u përleshën me policinë. Shkak i pakënaqësisë janë rritja e çmimeve të karburanteve dhe energjisë, qiratë e larta, pagat e ulëta dhe problemet me shërbimet publike.
Pas mbledhjes së qeverisë, Meloni i mbrojti vendimet e marra dhe tha se shkatërrimi dhe vjedhja nuk mund të paraqiten si formë proteste.
“Shkatërrimi dhe vjedhja nuk janë protestë, por krim, dhe reagimi i shtetit duhet të jetë i vendosur”, shkroi Meloni në një postim në rrjetet sociale.







