Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, ka fajësuar Serbinë për sulmin terrorist në Banjskë dhe për goditjen ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.
Islami reagoi pas deklaratave të ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, i cili mohoi çdo përfshirje të institucioneve shtetërore të Serbisë në ngjarjen e Banjskës. Sipas profesorit, të dyja rastet janë akte terroriste të mbështetura nga shteti serb.
Të lidhura
None found
Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Gjuriq u përpoq të mbronte qëndrimin e Serbisë lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë. Ai e përshkroi ngjarjen si një “sulm të izoluar” dhe deklaroi se ushtria, policia dhe BIA nuk kishin asnjë lidhje apo rol të organizuar në të.
Por, sipas Islamit, provat e mbledhura tregojnë të kundërtën. Në vendin e ngjarjes u sekuestrua armatim i prodhuar në fabrikat ushtarake serbe, i cili nuk mund të largohet nga depot zyrtare pa autorizimin e organeve përkatëse shtetërore. Ndërsa Kosova, Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja e kanë cilësuar zyrtarisht rastin e Banjskës si sulm terrorist, Gjuriq u përpoq ta paraqiste atë si një “konflikt të armatosur lokal”, për të mbrojtur shtetin serb dhe Milan Radoiçiqin.
Islami i kujtoi Gjuriqit se si sulmi në Banjskë, ashtu edhe ai ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, përmbushin të gjitha kriteret për t’u cilësuar akte terroriste, pas të cilave qëndron shteti serb me të gjithë mekanizmat e tij.



