Një banor 74-vjeçar i fshatit Pallaticë të Tetovës është lënduar pasi u përpoq të shuante flakët që përfshinë dhe dogjën tërësisht automjetin e tij.
Sipas njoftimit të SPB Tetovë, ngjarja u raportua dje, rreth orës 15:15, në Departamentin e Zjarrfikësve të Tetovës. Zjarri kishte rënë në një arë pranë rrugës lokale që lidh fshatrat Pallaticë dhe Ozurmishtë.
Të lidhura
None found
Gjatë këqyrjes së vendit u konstatua se pronari i automjetit, M.S., kishte ndezur barin e thatë për të pastruar fushën. Flakët më pas u përhapën dhe përfshinë makinën “Volkswagen Golf”, e cila ishte parkuar aty.
Zjarri shkrumboi plotësisht automjetin dhe një pjesë të sipërfaqes së mbuluar me bar të thatë. I moshuari u transportua për trajtim në Spitalin Klinik të Tetovës, ndërsa shuarja e zjarrit u krye nga Departamenti Territorial i Zjarrfikësve të Tetovës.




