Dhuna policore ndaj studentëve/ Ilir Ikonomi ironizon Ramën: Për buxhetin e shtetit shqiptar që vidhet me të dyja duart, 2500 euro nuk janë gjë fare

Gazetari i njohur Ilir Ikonomi, ka ironizuar kryeministrin Edi Rama në lidhje me vendimin e tij për të shpërblyer efektivët e Policisë së Shtetit me nga 2500 euro, të cilët kanë qenë në terren gjatë protestës studentore, ku kanë ushtruar edhe dhunë ndaj tyre.

Duke iu referuar historisë së Romës së lashtë, Konomi e krahason vendimin me rastet kur perandorët shpërblenin ushtarët për të siguruar besnikërinë e tyre, duke e cilësuar në mënyrë ironike si një mënyrë për të blerë besnikërinë e policisë në mbrojtje të pushtetit.

Të lidhura

None found

“Klaudi ishte perandori i parë që përdorte ryshfetin për të siguruar besnikërinë e gardianëve. Ryshfetet për të blerë policët dhe ushtarët jepen shpesh në shifra që përfshijnë numrin 5. Ndoshta ky numër ka qenë historikisht një ogur i mirë”, shkruan ai.

Më pas, ai shton se: “Për buxhetin e shtetit shqiptar që vidhet me të dyja duart, 2500 euro nuk janë gjë fare, sidomos kur paguhen për të mbrojtur “njeriun e vetëm” që mund ta çojë vendin në BE”.

Reagimi i plotë:

Histori nga Roma e lashtë.

Në vitin 41 pas Krishtit, Klaudi u premtoi nga 15.000 sesterce, siç quhej monedha e asaj kohe, ushtarëve të gardës që e mbështetën të bëhej perandor i Romës.

Këtë e thotë historiani romak Suetoni, i cili shkruan se Klaudi bleu në fakt besnikërinë e tyre për të kapur pushtetin.

Klaudi ishte perandori i parë që përdorte ryshfetin për të siguruar besnikërinë e gardianëve.

Ryshfetet për të blerë policët dhe ushtarët jepen shpesh në shifra që përfshijnë numrin 5. Ndoshta ky numër ka qenë historikisht një ogur i mirë.

Në vitin 193 pas Krishtit, kur garda pretoriane vrau perandorin, njëri nga pretendentët e fronit, Didius Julianus, i premtoi çdo ushtari 25.000 sesterce që ta shpallnin perandor.

Nëse në atë kohë do të përdorej euro, shpërblimi do të kishte qenë ndoshta 2500 euro.

Për buxhetin e shtetit shqiptar që vidhet me të dyja duart, 2500 euro nuk janë gjë fare, sidomos kur paguhen për të mbrojtur “njeriun e vetëm” që mund ta çojë vendin në BE.