Humbja 4-2 përballë Paris Saint-Germainit në “Parc des Princes” u shoqërua me një arritje të paprecedentë për Barcelonën në Ligën e Kampionëve. Zgjedhjet e Hansi Flickut për njëmbëdhjetëshen fillestare i dhanë klubit katalunas një vend të veçantë në historinë e turneut.
Të dhënat e OptaJoe tregojnë se asnjë skuadër më parë nuk e kishte nisur një takim të kësaj gare kundër kampionit në fuqi me katër adoleshentë mes titullarëve. Barcelona e realizoi këtë me Xavi Espartin, Lamine Yamalin, Pau Cubarsin dhe Marc Bernalin në fushë që nga minuta e parë.
Të lidhura
None found
Për ekipin e drejtuar nga Flicku, kjo ishte disfata e parë e sezonit në të gjitha garat, edhe pse gjatë pjesës së dytë ia doli të rivendoste dy herë baraspeshën.
Desire Doue dhe Lucas Hernandez e vendosën PSG-në dy herë në avantazh, ndërsa përgjigjja e Barcelonës erdhi përmes golave të Xavi Espartit dhe Lamine Yamalit, që e çuan rezultatin në 2-2. Espart, i formuar në akademinë “La Masia”, po siguron gjithnjë më shumë minuta me ekipin e parë këtë sezon.
Fitoren e rëndësishme për skuadrën e Luis Enriques e vulosën Vitinha dhe Fabian Ruiz, të cilët shënuan në dhjetë minutat përmbyllëse të kohës së rregullt.
Nga katër adoleshentët që nisën takimin, Bernal dhe Espart ia lanë vendin lojtarëve të tjerë gjatë pjesës së dytë.
Numri i të rinjve që morën pjesë në këtë sfidë mund të kishte qenë edhe më i madh për Barcelonën. Mbrojtësi 18-vjeçar Alex Campos dhe sulmuesi Hamza Abdelkarim ishin në stolin e rezervave, por nuk u futën në lojë.
Abdelkarim, përfaqësues i kombëtares egjiptiane, numëron dy ndeshje me Barcelonën në të gjitha garat gjatë këtij sezoni. Ndërkohë, Campos pret ende paraqitjen e parë me skuadrën kryesore dhe për momentin aktivizohet me Barcelonën B në Ligën e të Rinjve të UEFA-s.






