Një ndërveprim mes presidentit amerikan Donald Trump dhe bashkëshortes së tij, Melania Trump, ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale. Në pamjet e publikuara, Zonja e Parë duket se i shmanget puthjes që tenton t’i japë kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Momenti u filmua në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, gjatë një konference për shtyp ku çifti presidencial u paraqit së bashku. Ata po merrnin pjesë në nënshkrimin e një urdhri ekzekutiv për ngritjen e një task force për shëndetin e grave, si dhe të një divizioni të posaçëm për këtë çështje pranë Instituteve Kombëtare të Shëndetit në SHBA.
Të lidhura
None found
Videoja që po shpërndahet në internet tregon Trumpin duke u afruar për ta puthur Melanian. Ajo, megjithatë, duket se e kthen kokën dhe shmang puthjen në buzë. Reagimi është diskutuar gjerësisht në rrjetet sociale, por nuk dihet nëse lidhet me ndonjë ngjarje të mëparshme mes tyre.
Gjatë ceremonisë, vëmendje mori edhe një shkëmbim batutash mes të dyve. Pasi nënshkroi urdhrin ekzekutiv, Trump ia kaloi stilolapsin bashkëshortes dhe tha: “Nuk e di nëse firma e saj do të thotë diçka”. Melania iu përgjigj: “E jotja është më e rëndësishmja”.
Në fjalën e tij, presidenti tha se ideja për krijimin e një strukture të posaçme për shëndetin e grave lindi pas një bisede me bashkëshorten. “Kur e mora vesh, thashë: ‘Je i sigurt që nuk ekziston diçka e tillë tashmë? Kush dreqin nuk do të kishte një departament të shëndetit të grave?’ Melania tha: ‘Nuk ka’. Pra, bravo”, tregoi ai.
Trump vlerësoi gjithashtu zgjuarsinë e Zonjës së Parë dhe tha se ajo e kupton sa rëndësi kanë çështje të tilla.
Pas tentativës për puthje, Trumpi e kapi Melanian për dore, ia përkëdheli lehtë me pëllëmbë dhe i tha “bravo”.
Pamjet e momentit dhe ndërveprimi i çiftit presidencial para kamerave kanë nxitur komente të shumta në rrjetet sociale.




