Pas disfatës 4-2 kundër Paris Saint-Germainit, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, tha se skuadra nuk ishte fizikisht e freskët dhe se gabimet e shumta ndikuan në rezultatin e ndeshjes.
“Nuk dua ta përdor si justifikim, por duhet të kuptojmë se mungesa e freskisë fizike na çoi drejt gabimeve. Skuadra është angazhuar jashtëzakonisht shumë gjatë dy javëve të fundit. Humbëm shumë topa të thjeshtë dhe këtë duhet ta shqyrtojmë”, u shpreh Flick.
Të lidhura
None found
Tekniku gjerman vuri në dukje se Barcelona nuk pati kohën e nevojshme për t’u përgatitur siç duhet, ndërsa përmendi edhe vështirësitë që pasuan ndeshjen me Sevillan.
Pas takimit në Sevilla, katalunasit qëndruan të bllokuar për dy orë në aeroplan dhe u detyruan të kalonin natën pa e pasur këtë në plan. Kjo ua prishi programin për përgatitjen e ndeshjes ndaj PSG-së.
“Nuk arritëm të rikuperoheshim siç duhej. Të gjithë e dini çfarë ndodhi pas ndeshjes me Sevillan. Ishte një situatë shumë e vështirë dhe sonte e ndjemë ndikimin e saj”, tha ai.
Flick pranoi se Barcelona nuk arriti ta ruante kontrollin pas golit të tretë të skuadrës franceze. Megjithatë, ai tha se ekipi mund të nxjerrë mësime edhe nga elementet pozitive të paraqitjes.
“Pas rezultatit 3-2, skuadra u shpërbë. Do ta analizojmë ndeshjen, por pati edhe shumë gjëra të mira. Jam ende optimist”.
“Ishte një provë e mirë për ne dhe duhet të përcaktojmë se ku kemi nevojë të përmirësohemi”, përfundoi trajneri i Barcelonës.
Tashmë, Flick dhe lojtarët e tij do të përqendrohen te përgatitja për ndeshjen e ardhshme kundër Real Madridit.





