Mijëra qytetarë dolën të martën në mbrëmje në rrugët e Portugalisë, duke kërkuar masa për krizën e strehimit dhe për të ndalur shtrenjtimin e pronave.
Protestat u zhvilluan kryesisht në Lisbonë dhe në Porton, në veri të vendit. Aktivistët kundërshtuan përpjekjet e autoriteteve për të hequr kampet e ngritura prej tyre.
Të lidhura
None found
Në orët e para të së martës, policia ndërhyri për të shpërndarë kampet dhe largoi 228 tenda. Sipas autoriteteve, operacioni në Lisbonë përfundoi me 55 të arrestuar dhe dy të plagosur.
Në sheshin Rossio, në qendër të kryeqytetit, protestuesit u rreshtuan dorë për dore për të ndaluar policinë. Përplasjet mes tyre dhe forcave të rendit nisën pas përshkallëzimit të situatës.
Pas operacionit, aktivistët u kthyen në shesh dhe, përmes një votimi me ngritje duarsh, vendosën të rindërtonin kampin dhe të vazhdonin protestën.
“Lisbona nuk është në shitje” dhe “Më detyruan të dal në rrugë për të bërtitur” shkruhej në disa prej pankartave. Demonstruesit kërkojnë hapa konkretë për t’iu përgjigjur vështirësive që hasin qytetarët për të siguruar një banesë.
Policia e Portugalisë e mbrojti ndërhyrjen, duke thënë se përdorimi i forcës ishte i justifikuar dhe proporcional, pasi disa protestues nuk iu bindën urdhrave për t’u larguar. Ministria e Brendshme vlerësoi profesionalizmin e efektivëve dhe tha se dialogu mbeti përparësi deri në çastin e fundit.
Presidenti i Portugalisë, António José Seguro, ndërkohë, kërkoi një marrëveshje të gjerë mes partive politike për miratimin e zgjidhjeve afatgjata ndaj krizës së strehimit.
Nisma synon të nxjerrë në pah rritjen e vazhdueshme të çmimeve të banesave, që po ua bën gjithnjë e më të vështirë qytetarëve gjetjen e strehimit.
Disa aktivistë, të frymëzuar nga kampet e ngritura në Spanjë, mes tyre edhe ai në sheshin e njohur Puerta del Sol në Madrid, duan të koordinojnë lëvizjen në të gjithë gadishullin Iberik. Synimi është që kriza e strehimit të trajtohet si çështje e përbashkët rajonale.





