A keni familje e fëmijë? Robert Aliaj akuzon policinë për dhunë në protesta dhe i drejtohet Ramës: E ke kthyer shtetin në një instrument plaçkitjeje

Në një reagim publik, Robert Aliaj, ka dënuar me tone të ashpra atë që e cilëson dhunë të policisë gjatë protestave në Tiranë.

Artisti akuzon efektivë të Policisë së Shtetit dhe të RENEA-s se kanë ushtruar dhunë ndaj të miturve, gjimnazistëve, studentëve dhe qytetarëve të tjerë.

Të lidhura

None found

Aliaj iu drejtua punonjësve të policisë dhe tha se ata e kanë shndërruar uniformën dhe institucionet shtetërore në mjete dhune kundër protestuesve.

Ai vuri në pikëpyetje përgjegjësinë morale të efektivëve dhe të familjarëve të tyre, duke u kërkuar të mos heshtin për veprime që ai i quan kriminale.

“A keni familje? A keni fëmijë? A keni ju gra?”, pyeti artisti, duke kritikuar edhe të afërmit e policëve, të cilët, sipas tij, nuk reagojnë përballë dhunës ndaj të rinjve.

 

 

Aliaj drejtoi kritika edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e konsideron përgjegjës për veprimet e policisë gjatë protestave. Sipas artistit, kreu i qeverisë mbron dhe shpërblen efektivët që ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve.

“Ti që e ke kthyer shtetin në një instrument plaçkitjeje dhe policinë e shtetit në ushtrinë tënde private”, shkroi Aliaj në mesazhin e tij për kryeministrin.

Artisti paralajmëroi se përgjegjësia për veprimet e denoncuara, sipas tij, nuk u takon vetëm atyre që ushtrojnë dhunë ose japin urdhra. Ajo, shtoi ai, do të rëndojë moralisht edhe mbi personat që zgjedhin të heshtin.

Aliaj e përfundoi reagimin me thirrjen: “POSHTË DIKTATURA”.


Shtuar më 21.10.2026 08:10