Përfaqësuesja daneze në OKB i bën thirrje Serbisë të mos pengojë Kosovën në organizatat ndërkombëtare

Përfaqësuesja e Danimarkës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) deklaroi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet i rëndësishëm, ndërsa integrimi evropian i të dyja vendeve është kusht i domosdoshëm për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

Të lidhura

None found

Sipas saj, dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian krijon bazën për zhvillimin e këtij procesi. Megjithatë, ajo theksoi se përparimi varet nga angazhimi serioz i të dyja palëve, respektimi i marrëveshjeve dhe vullneti për të arritur zgjidhje të përbashkëta.

Duke folur për zhvillimet e këtij viti, përfaqësuesja daneze veçoi marrëveshjen për ligjin për të huajt, të cilën e cilësoi si një shembull të bashkëpunimit pragmatik. Ajo tha se raste të tilla mund të kontribuojnë në adresimin e çështjeve të ndjeshme dhe në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.

Ajo vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të pjesëmarrësve në dialog dhe të kryesuesit të tij, duke nënvizuar se rezultatet e deritanishme duhet të përdoren si pikënisje për hapa të rinj përpara.

Në lidhje me Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit dhe zotimet e tjera, përfaqësuesja tha se Kosova duhet të vazhdojë procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në të njëjtën kohë, ajo kërkoi që Serbia të zbatojë detyrimet e saj dhe të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Në mbyllje, ajo theksoi se përgjegjësia për zbatimin e marrëveshjeve u takon të dyja palëve dhe se ecuria e procesit nuk mund të mbështetet vetëm te veprimet e njërës prej tyre.


Shtuar më 20.10.2026 22:30