Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që ta rishikojë qasjen ndaj Kosovës dhe të mbështesë rrugën e saj drejt anëtarësimit në OKB.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalimit të tij, Konjufca ngriti pikëpyetje mbi nevojën e vazhdimit të diskutimeve për Kosovën në këtë organ, duke theksuar se Këshilli i Sigurimit përballet edhe me çështje të tjera të rëndësishme që kërkojnë vëmendje.
Ai shpjegoi se përfaqësuesit e Kosovës marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit për të prezantuar të vërtetën dhe për t’iu përgjigjur, siç tha ai, përpjekjeve destabilizuese të udhëheqësve të Serbisë, të cilat synojnë të dëmtojnë përparimin e Kosovës nga lufta drejt demokracisë.
Konjufca u ndal edhe te funksioni i Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Sipas tij, kapacitetet e këtij misioni duhet të përdoren në mënyrë më efikase për t’i mundësuar Kosovës përfshirjen në sistemin e OKB-së, duke përfshirë organet, agjencitë dhe programet e saj.
Ai vlerësoi se këto resurse nuk duhet të shfrytëzohen si mjet për artikulimin e pretendimeve që, sipas tij, cenojnë stabilitetin në rajon.
Në pjesën përmbyllëse të deklaratës, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmendi opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Konjufca theksoi se opinioni kishte konfirmuar që shpallja e pavarësisë nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Konjufca përfundoi duke thënë se Këshilli i Sigurimit duhet të kalojë në një agjendë afirmative, përmes së cilës do të krijoheshin kushtet për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.




