Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të dënojë deklaratat që, sipas tij, justifikojnë spastrimin etnik dhe pasqyrojnë pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Të lidhura
None found
Konjufca, i cili po e përfaqëson Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, iu referua deklaratës së zëvendëspresidentes së tretë, Snezhana Paunoviç. Sipas tij, gjatë një emisioni të drejtpërdrejtë, ajo kishte thënë se, nëse do të ishte në vendin e Slobodan Miloševiçit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.
Ai vlerësoi reagimin e Bashkimit Evropian ndaj retorikës që nxit ose glorifikon spastrimin etnik, ndërsa kërkoi që edhe Këshilli i Sigurimit të mbajë një qëndrim të njëjtë.
“I bëjmë thirrje këtij Këshilli të veprojë në të njëjtën mënyrë dhe të dënojë pa ekuivok glorifikimin e Ratko Mladiçit, si dhe deklaratat e vazhdueshme të qeverisë aktuale që lidhen me spastrimin etnik”, deklaroi Konjufca.
Gjatë fjalës së tij, ai përmendi edhe deklaratën e zëvendëskryeministrit Ivica Daçiç, i cili, sipas Konjufcës, në një tubim politik të mbajtur këtë muaj kishte deklaruar se flamuri serb, herët a vonë, do të valëvitej mbi Prizren.
Sipas tij, këto deklarata tregojnë se ambiciet territoriale të Beogradit ndaj Republikës së Kosovës vazhdojnë të jenë të pranishme.





