Jacob Waddington, 24 vjeç nga Lancashire në Angli, ka arritur të blejë dy prona brenda disa vitesh falë një disipline të fortë financiare dhe investimeve në tregun e pasurive të patundshme.
Të lidhura
None found
Menjëherë pas mbarimit të kolegjit, në moshën 18-vjeçare, ai filloi të vinte mënjanë të paktën gjysmën e të ardhurave të tij mujore. Meqenëse jetonte me prindërit dhe paguante vetëm 200 paund në muaj për shpenzimet e banesës, ai arrinte të kursente deri në 1,500 paund çdo muaj.
Kur mbushi 23 vjeç, së bashku me partneren e tij Holly, bleu një banesë me dy dhoma gjumi për 98,000 paund. Çifti shpenzoi rreth 20,000 paund për ta rinovuar, duke përfshirë ndërhyrje në kuzhinë, banjë, mure dhe sistemin e ngrohjes.
Pas përfundimit të rinovimit, vlera e pronës u rrit në 160,000 paund. Në vend që ta shisnin, ata vendosën ta jepnin me qira për 875 paund në muaj, ndërsa pagesa mujore e kredisë ishte 430 paund.
Më vonë, duke rifinancuar pronën e parë dhe duke përdorur kapitalin e fituar, çifti bleu një vilë të vjetër rreth 200-vjeçare për 140,000 paund. Kjo pronë ndodhet pranë kodrës historike Pendle Hill dhe qëllimi i tyre është ta shndërrojnë në një strukturë akomodimi turistik përmes Airbnb.
Për të mbuluar pjesën e mbetur të shumës në blerjen e dytë, ata përdorën edhe një kredi afatshkurtër, të njohur si bridging loan.
Jacob shprehet se planifikon të blejë një tjetër pronë për ta rinovuar dhe më pas për ta shitur, ndërsa në të ardhmen dëshiron të blejë një shtëpi që do ta rinovojë për të jetuar vetë.
Sipas tij, çelësi i suksesit qëndron te kursimi i vazhdueshëm, kontrolli i shpenzimeve dhe shfrytëzimi i rritjes së vlerës së pronës së parë për të financuar investimet e mëpasshme./Klankosova.tv







