Jani Makraduli nën akuzë penale, si drejtues i Postës së Maqedonisë së Veriut nuk shlyente detyrimet ndaj dy kompanive

Policia Financiare ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër J.M., ish-drejtorit të përgjithshëm të ndërmarrjes shtetërore “Posta e Maqedonisë së Veriut” dhe kryetarit të Bordit Drejtues. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar”, e parashikuar nga neni 353 i Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut.

Të lidhura

None found

Sipas njoftimit të Policisë Financiare, gjatë periudhës 2021-2022, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim me Statutin e shoqërisë dhe Ligjin për Shoqëritë Tregtare. Ai nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të zbatuar vendimet dhe konkluzionet e Bordit Drejtues lidhur me pagesën e borxheve ndaj dy personave juridikë, të cilat arrinin vlerën totale prej 19.292.984,00 denarë.

“Megjithëse i ishin dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme për pagesë, i pandehuri refuzoi të firmoste marrëveshjen për shlyerjen e borxhit, nuk i vërtetoi faturat dhe nuk i nënshkroi urdhërpagesat. Ky veprim i tij hapi rrugën për fillimin e procedurave gjyqësore kundër kompanisë, pas të cilave gjykatat vendosën detyrimin për të paguar kamatë ndëshkuese”, theksoi Policia Financiare.

Si pasojë e kësaj sjelljeje, “Posta e Maqedonisë së Veriut” pësoi një dëm financiar prej 10.968.483,00 denarë, që i takon kamatës ndëshkuese.


Shtuar më 20.10.2026 16:00