Kurti dhe Rama pjesë e Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit në Mal të Zi

Albin Kurti dhe Edi Rama, kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, do të jenë të pranishëm në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet pasnesër në Miloçer të Budvës, në Mal të Zi.

Të lidhura

None found

Mes pjesëmarrësve të tjerë pritet të jenë kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq. Në takim do të marrin pjesë gjithashtu zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve ndërkombëtare.

Samitit do t’i bashkohet edhe komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjatë vizitës në Mal të Zi do të takohet me drejtuesit e vendit dhe aktorë të tjerë politikë.

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se në këto takime Kos do të trajtojë ecurinë e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe reformat që kërkohen për avancimin e këtij procesi.

Sipas raportimeve të mediave malazeze, komisionarja evropiane pritet të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin do të bisedojë për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Axhenda e samitit pritet të përfshijë çështje që lidhen me bashkëpunimin rajonal, ndërlidhjen dhe integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e Malit të Zi ka publikuar një listë pjesëmarrësish ku përfshihen edhe drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe organizatave rajonale, si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.


Shtuar më 20.10.2026 15:22