Qeveria pritet t’i përgjigjet ICMG-së pas takimit urgjent për Prishtina 2030

Procesi i përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 ka hyrë në një fazë të re pas shqetësimeve të shprehura nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) lidhur me veprimet e nevojshme për organizimin e ngjarjes.

Të lidhura

None found

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se sot është zhvilluar një takim urgjent mes ministrit të Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, dhe përfaqësuesve drejtues të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK). Në takim janë trajtuar situata e krijuar dhe hapat që duhen ndjekur.

Sipas të njëjtave burime, është vendosur që Qeveria e Kosovës t’i dërgojë ICMG-së përgjigjen e saj deri nesër, të mërkurën, për vërejtjet rreth përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.

Zhvillimet pasojnë publikimin nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të një letre të ICMG-së. Në dokumentin e bërë publik pasqyrohen shqetësimet e institucionit ndërkombëtar për përmbushjen e hapave të kërkuar dhe të detyrimeve financiare që lidhen me organizimin e Lojërave Mesdhetare.

Më 19 dhjetor, ICMG-ja pritet të zhvillojë takimin e radhës, ku do të diskutohet në mënyrë të posaçme e ardhmja e Lojërave Mesdhetare në Kosovë. Kështu, përgjigjja e Qeverisë dhe veprimet që do të pasojnë do të jenë ndër çështjet kryesore përpara këtij takimi, ku do të vlerësohet ecuria e përgatitjeve për Prishtina 2030.