Ten Hag rrëfen prapaskenat e përplasjes që çoi Ronaldon jashtë Manchester United

Ish-tekniku i Manchester United, Erik ten Hag, ka treguar versionin e tij për konfliktin e bujshëm me Cristiano Ronaldon, i cili përfundoi me largimin e yllit portugez nga klubi.

Të lidhura

None found

Sipas trajnerit holandez, Ronaldo nuk ishte në gjendje të përmbushte kërkesat fizike të skuadrës. Në seancat ku merrte pjesë, të dhënat e monitorimit tregonin se rrahjet e zemrës së tij nuk arrinin nivelet e nevojshme. Për më tepër, pas humbjes 4-0 ndaj Brentfordit në gusht 2022, ai përshkoi vetëm dy nga tre xhirot ndëshkuese të kërkuara nga Ten Hag.

“Ia thashë drejtpërdrejt dhe ia përsërita disa herë: ‘Ronnie, të gjithë duan të punojnë për ty që të pozicionohesh siç duhet. Por, nëse nuk arrin dot në zonën e penalltisë, nuk do të mund të shënosh’. Ai thjesht nuk ishte në gjendje ta bënte këtë”, ka deklaruar Ten Hag.

Ai ka mohuar gjithashtu se Ronaldo nuk mund të ushtronte presion për shkak të lodhjes. “Nuk është e saktë të thuhet se i kërkova të bënte presion dhe se ai humbi gazin për këtë arsye. Ai thjesht nuk mund të pozicionohej. Nuk vraponte as me topin, as pa të, sepse nuk ishte përgatitur siç duhet”, është shprehur trajneri.

Kriza mes tyre u bë publike në tetor të vitit 2022, kur Ronaldo refuzoi të futej në lojë si zëvendësues në minutat e fundit të përballjes me Tottenham Hotspur dhe u largua nga fusha përpara përfundimit të ndeshjes. Si pasojë, ai u pezullua nga stërvitjet me ekipin e parë.

Një muaj më vonë, situata u përkeqësua pas intervistës së bujshme me gazetarin Piers Morgan. Ronaldo deklaroi se ndihej i pa respektuar nga trajneri, ndërsa Manchester United vendosi më pas t’ia ndërpriste kontratën futbollistit portugez.

“Ai e zhgënjeu ekipin dhe po ashtu edhe mua, pasi ishte pjesë e planeve tona. Para se të merrja detyrën te United, udhëtova drejt Portugalisë për të biseduar drejtpërdrejt me të rreth objektivave që synoja të arrija”, ka thënë fillimisht Ten Hag.

“Pa dyshim, ai është një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe unë e respektoja shumë. Megjithatë, në atë situatë, si trajner, duhej të merrja një vendim racional dhe të mbaja në skuadër lojtarët që admiroj”, ka shtuar ai.

Ten Hag e mbylli duke theksuar se një ekip i nivelit të lartë duhet të krijojë kushtet e duhura për yllin kryesor, por edhe ai futbollist duhet të kontribuojë për skuadrën.


Shtuar më 20.10.2026 10:52