Gjykata e Apelit ka vendosur dënimin me 1 vit e 7 muaj burg për ish-sekretarin e Qeverisë, Muhamed Zekiri, në çështjen penale ku ai akuzohet për shpërdorim të detyrës. Rasti lidhet me kontratat e lidhura për shërbime konsulence, që kishin për qëllim analizimin e situatës dhe shqyrtimin e mundësisë për privatizimin e Postave dhe Hekurudhave të RMV-së, pa zhvilluar procedurë të prokurimit publik, njofton “Koha”.
Të lidhura
None found
Ky vendim është marrë pas rigjykimit të çështjes. Zekiri mund ta kundërshtojë atë në Gjykatën Supreme brenda një afati prej 8 ditësh. Sipas Prokurorisë, përmes këtyre kontratave buxhetit të shtetit i është shkaktuar dëm në vlerë mbi 1.1 milion euro.
Gjykata e Apelit ka bërë të ditur gjithashtu se është urdhëruar konfiskimi i pasurisë së kompanisë kontraktuese Interholding, ndërsa një masë e tillë nuk është marrë ndaj Zekirit.
Çështja ishte kthyer për rigjykim pasi në muajin shtator Gjykata e Apelit në Shkup shfuqizoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale të Shkupit ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zeqiri, i cili akuzohej për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore Penale e Shkupit e shpalli Zeqirin fajtor dhe e dënoi me 2 vjet e 6 muaj burg për veprën e keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar. Akuza ishte ngritur në bazë të nenit 353, paragrafi 4, të Kodit Penal, i cili pas ndryshimeve të fundit parashikon dënim nga 1 deri në 5 vjet burgim.
Prokuroria e akuzoi për nënshkrimin e dy kontratave për shërbime konsulence, pa u zhvilluar procedura përkatëse e prokurimit publik. Përveç dënimit me burg, gjykata kishte urdhëruar edhe kompensimin e dëmit ndaj Buxhetit të Shtetit, në shumën prej 71.338.336 denarësh.






