KShH kërkon hetim të plotë për dhunën ndaj të miturve gjatë protestave në Tiranë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ngritur shqetësimin për përdorimin e dhunës nga policia ndaj protestuesve në Tiranë, me fokus të veçantë te të miturit dhe te respektimi i të drejtave të personave të ndaluar.

Në deklaratën e publikuar më 18 tetor, organizata kërkon nisjen e një hetimi të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv për të gjitha rastet e raportuara. Sipas KShH-së, verifikimi duhet të përfshijë jo vetëm punonjësit që dyshohet se kanë ushtruar drejtpërdrejt dhunë, por edhe drejtuesit policorë dhe zinxhirin komandues, në përputhje me detyrimet ligjore.

Të lidhura

None found

Gjetjet e Komitetit mbështeten edhe në monitorimin e zhvilluar më 16 tetor në Bllokun e Dhomave të Sigurisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Gjatë kontrollit, KShH raporton se janë konstatuar mbipopullim dhe kushte të papërshtatshme, pasi në dhoma të parashikuara për një person qëndronin nga tre deri në katër persona, kryesisht të mitur.

Organizata vëren se mungonin shtretërit, dyshekët dhe pajisjet e nevojshme për fjetje. Këto kushte, sipas saj, krijojnë dyshime serioze për respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të standardeve që duhet të zbatohen ndaj personave të privuar nga liria.

Të ndaluarit kanë pretenduar gjithashtu se janë dhunuar gjatë arrestimit dhe pasi janë dërguar në ambientet e policisë. Disa të mitur kanë deklaruar se janë goditur nga efektivë të Policisë së Shtetit, ndërsa monitoruesi i KShH-së ka evidentuar shenja të dukshme dëmtimesh fizike në disa raste. Gjatë monitorimit, një prej të miturve është transportuar për herë të dytë në Spitalin e Traumës.

KShH thekson se pretendimet dhe konstatimet duhet t’i nënshtrohen një verifikimi të plotë, pa nxjerrë përfundime paraprake mbi përgjegjësinë e personave të përfshirë. Hetimi duhet të shqyrtojë edhe rolin e mundshëm të drejtuesve të policisë, sipas kompetencave dhe detyrimeve që u ngarkon ligji.

Gjatë bisedave me monitoruesit, personat e ndaluar kanë ngritur akuza edhe për pengim të komunikimit me familjarët dhe avokatët, mungesë të kujdesit të nevojshëm shëndetësor dhe marrje në pyetje të të miturve pa praninë e psikologut. Komiteti kërkon që këto rrethana të kontrollohen në bazë të Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit rikujton se tubimi paqësor është një e drejtë themelore dhe se çdo ndërhyrje e autoriteteve duhet të mbështetet te ligjshmëria, domosdoshmëria dhe proporcionaliteti. Organizata dënon njëkohësisht dhunën e ushtruar gjatë protestave dhe çdo përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës nga autoritetet, duke nënvizuar se veprimet e dhunshme të individëve nuk justifikojnë ndëshkimin kolektiv të protestuesve ose shkeljen e të drejtave të të ndaluarve.

Sipas KShH-së, të miturit duhet të gëzojnë mbrojtje të posaçme. Privimi i fëmijëve nga liria duhet të zbatohet vetëm si masë e fundit dhe për kohën më të shkurtër të mundshme, ndërsa në çdo procedurë duhet të mbrohen interesi i tyre më i lartë, e drejta për ndihmë ligjore dhe dinjiteti.

Komiteti i kërkon Prokurorisë kompetente dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore t’u japin përparësi hetimeve për pretendimet e dhunës dhe keqtrajtimit. Në këtë proces, sipas organizatës, duhet të ruhen të gjitha provat, përfshirë pamjet filmike, dokumentet e ndalimeve dhe raportet mjekoligjore. Ndërsa Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme u kërkohet të përmirësojnë kushtet në dhomat e sigurisë, të garantojnë kujdesin shëndetësor dhe të respektojnë të drejtat procedurale të personave të arrestuar.