Shifrat e armëve dhe municioneve të sekuestruara, si dhe rastet e vrasjeve, vazhdojnë të ngrejnë shqetësime për sigurinë në Kosovë. Policia njofton se gjatë vitit 2025 ka konfiskuar 1931 armë dhe mbi 39 mijë fishekë, ndërsa në vitin paraprak janë sekuestruar 1746 armë e më shumë se 33 mijë fishekë.
Të lidhura
None found
Njohësit e sigurisë e shohin amnistinë si një mënyrë për t’i nxitur qytetarët të dorëzojnë armët që i posedojnë në mënyrë të paligjshme.
“Amnistia nganjëherë është shpëtim, sepse nuk ka ndjekje për ata persona që i dorëzojnë armët. Do të duhej që këta persona edhe të stimuloheshin”, tha Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.
Sociologu Genc Xërxa, nga ana e tij, paralajmëron për tendencën e individëve dhe palëve të ndryshme që konfliktet t’i zgjidhin pa iu drejtuar ligjit.
“Shumica e individëve dhe palëve në këtë kontekst po mundohen t’i zgjidhin [konfliktet] duke marrë ligjin në duart e tyre”, tha Genc Xërxa, sociolog.
Nga janari deri në shtator të këtij viti, në Kosovë janë regjistruar 17 raste vrasjesh. Statistikat tregojnë se në vend ka gjithashtu një numër të konsiderueshëm armësh legale. Hulumtimet e publikuara vitin e kaluar vlerësojnë se brenda një viti në Kosovë hyjnë rreth 1.300 armë të reja.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh ndëshkime të rënda për veprat penale që lidhen me armët. Importimi, eksportimi, blerja, furnizimi, transportimi, prodhimi ose shitja e armëve në kundërshtim me ligjin, si dhe ndërmjetësimi në tregtinë e tyre, dënohen me gjobë deri në 7500 euro dhe burgim prej një deri në tetë vjet. Kur vepra përfshin më shumë se katër armë ose 400 fishekë, dënimi është nga një deri në dhjetë vjet burgim.





