Studentët i kërkojnë dorëheqjen, reagon Rama: Jam përpjekur të mos bie në kurthin e dhunës që kërkon gjak! Ata që qëllojnë me gurë e zare hekuri janë kriminelë

Në një komunikim live në rrjete sociale, kryeministri Edi Rama, e cilësoi revoltën studentore kundër tij, që për pesë ditë është shoqëruar me tensione dhe përplasje, si një “kurth i ngritur dhune që kërkon gjak”.

Rama kujtoi edhe vrasjet e 21 Janarit, duke krahasuar situatën e atëhershme me protestat e sotme. Ai dënoi përdorimin e gurëve, vidave dhe sendeve të tjera kundër policisë, duke i cilësuar autorët si kriminelë, por theksoi se ata mbeten fëmijë të Shqipërisë dhe se jeta e tyre ka më shumë vlerë se çdo gjë tjetër.

Të lidhura

None found

Rama nënvizoi se vetëpërmbajtja duhet të jetë parimi kryesor në këtë situatë. Sipas tij, dëmet fizike mund të riparohen shpejt, por pasojat e tjera të krijuara nga kjo situatë janë më të mëdha.

“Me një pikë uji në oqeanin e çudirave që thuhen dhe përhapen dhe vendosa të jem këtu sot, t’ju shoh në sy dhe të më shikoni në sy dhe të përpiqem të them gjërat e mia pasi për disa ditë, qysh se kjo flamë ka nisur jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek e të koordinoj me shumë durim një përpjekje aspak të lehtë për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak. Kërkohet gjak. Dhe unë e di historinë e këtij bulevardi. E njoh më mirë. Jam ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën më 21 Janar, ku pati disa zjarre sporadike tek tuk në këtë perimetër, jo një kazan, jo një makinë, po ku nuk u prek me asgjë asnjë institucion ku nuk u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit, dhe ku u vranë me plumba nga kjo godinë. 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, që ndryshe nga sot, nuk shkuan dot as në spital.

Përtej faktit që ata që qëllojnë me gurë dhe me zare hekuri e vida për t’i nxjerrë sytë policisë janë kriminelë, përsëri unë e kam mirë parasysh se ata janë fëmijë të verbër të Shqipërisë dhe jeta e tre vlen më shumë se cdo gjë tjetër në fund të ditës. Kështu që vetëpërmbajtja është A dhe Zh e kësaj historie. Ndërkohë që patjetër që dëmet nuk janë të vogla, por ndreqen shpejt të tëra për sa i përket dëmeve fizike. Të tjera janë dëme të mëdha për të cilat do të përpiqem të flas. Prandaj unë kam qenë pak i përfshirë dhe fushën e kam pasur të lirë ata që e fillojnë dhe e mbarojnë ditën duke nxitur dhunë. Ekranet e dhunës, ku nuk dëgjon askënd që ta dënojë dhunën qartësisht. Ky është një nga mijëra gurët e shkulur, të trotuarëve të bulevardit për t’u hedhur mbi Policinë. Është një armë që mund të bëhet vdekjeprurëse”, tha ai.


Shtuar më 18.10.2026 08:19