Rey Manaj është bërë futbollisti i parë i Kombëtares që ka reaguar publikisht pas zhvillimeve të fundit në Shqipëri, ku studentët protestues u përballën me dhunë nga forcat e policisë. Sulmuesi lushnjar e shprehu qëndrimin e tij përmes një postimi në “story” në rrjetet sociale.
Të lidhura
None found
Manaj deklaroi se ndihet i shqetësuar për dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe protestuesve, duke theksuar se ata janë fëmijët dhe e ardhmja e vendit. Sipas tij, studentët duhet të dëgjohen, respektohen dhe trajtohen me dinjitet, ndërsa askush, veçanërisht ata që kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët, nuk duhet të ushtrojë dhunë ndaj tyre.
Futbollisti nënvizoi se çdo qytetar gëzon të drejtën për të protestuar dhe për të kërkuar një të ardhme më të mirë, paga më të drejta, pensione dinjitoze dhe kushte jetese më të përballueshme. Ai shtoi se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe jo të mbytet përmes dhunës.
Njëkohësisht, Manaj u bëri thirrje edhe protestuesve që të ruajnë qëllimin e tubimit dhe të mos dëmtojnë pronën private, atë të njerëzve të thjeshtë apo të ndërmarrjeve shqiptare. Sipas tij, protesta duhet të jetë e drejtë, paqësore dhe dinjitoze, pasi dhuna nuk mund t’i përgjigjet dhunës.
“Nuk po flas kundër askujt dhe as në mbështetje të ndonjë pale politike. Po flas si shqiptar, që dëshiron një vend ku të rinjtë të kenë të ardhme, qytetarët të jetojnë me dinjitet dhe askush të mos ketë frikë të ngrejë zërin për të drejtat e tij.
Të mbrojmë studentët, të respektojmë qytetarët dhe të ndalim dhunën. E ardhmja e Shqipërisë meriton më shumë!”, përfundoi reagimin e tij Rey Manaj.





