Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar për protestën studentore, e cila vijon prej pesë ditësh, duke i bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të largohet nga detyra.
Salianji e bëri qeverisjen e Ramës përgjegjëse për përplasjet mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit. Sipas tij, të dyja palët kanë shqetësime të ngjashme dhe përballen me pasiguri.
Të lidhura
None found
Në njërën anë, tha ai, janë qytetarët e varfër dhe të rinjtë që ndihen të shtypur e të keqtrajtuar; në anën tjetër janë punonjësit e policisë, të cilët Salianji i përshkroi si të keqtrajtuar dhe të përdorur nga pushteti.
Reagimi i Salianjit:
“Keqqeverisja e Edi Ramës ka sjellë sot një përplasje të ashpër në Shqipëri. Përgjegjësia është e tij, pasi ka vënë përballë dy palë që kanë, në thelb, të njëjtat probleme: qytetarët e varfër dhe të rinjtë e shtypur e të keqtrajtuar, nga njëra anë, dhe punonjësit e Policisë, të keqtrajtuar e të përdorur nga pushteti, nga ana tjetër.
Këto palë nuk janë kundërshtare. Ato ndajnë të njëjtat shqetësime, pasiguri dhe nevojë për dinjitet.
Edi Rama mban përgjegjësi politike për këtë përplasje, sepse i vë qytetarët kundër njëri-tjetrit, në vend që t’u zgjidhë problemet.
Shqipëria ka nevojë për përgjegjësi, dinjitet dhe ndryshim, jo për më shumë përçarje, dhunë e padrejtësi.
Edi Rama, jep dorëheqjen!”






