Spalletti vlerëson Zhegrovën: Mund të jetë shkatërrues për kundërshtarët dhe meriton më shumë minuta

Luciano Spalletti ka vlerësuar talentin e Edon Zhegrovës dhe aftësinë e tij për të vënë në vështirësi mbrojtjet kundërshtare. Trajneri italian ka kujtuar gjithashtu se përdorimi i anësorit duhet të jetë në përputhje me ekuilibrin taktik të skuadrës.

Të lidhura

None found

Sipas Spallettit, lëvizjet e sulmuesit kosovar janë të vështira për t’u parashikuar, çka e bën veçanërisht të rrezikshëm në duelet një kundër një dhe i mundëson të gjejë zgjidhje edhe në rrethana të ndërlikuara.

“Zhegrova mund të jetë shkatërrues për kundërshtarët, për shkak të cilësive dhe mënyrës së tij të lojës. Lëvizjet e tij janë të paparashikueshme për kundërshtarët, por ndonjëherë edhe për vetë atë”, është shprehur Spalletti.

Tekniku ka shpjeguar se Zhegrova është në gjendje të ndryshojë drejtim e plan gjatë një aksioni, duke kërkuar alternativën më të mirë edhe kur zhvillimi i lojës nuk shkon siç ishte parashikuar.

Spalletti ka vënë në dukje se kjo liri krijuese jo gjithmonë përputhet me balancën taktike që synon ekipi. Sipas tij, për të përfituar sa më shumë nga lojtari, rëndësi ka edhe organizimi i pjesës tjetër të skuadrës.

“Ai mund ta gjejë hapësirën e duhur në ekip nëse arrijmë të krijojmë ekuilibrin e duhur në krahun tjetër të fushës”, ka thënë trajneri.

Në përfundim, Spalletti ka shprehur vlerësim për atë që Zhegrova ka treguar deri tani dhe ka lënë të kuptohet se kosovari meriton më shumë hapësirë në fushë.

“Nga ajo që na ka treguar, Zhegrova do të meritonte më shumë kohë loje”, ka përfunduar ai.


Shtuar më 17.10.2026 19:45