Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) reagoi këtë të shtunë pas incidentit të regjistruar gjatë protestës në Tiranë, ku disa protestues penguan kalimin e një ambulance.
Përmes një deklarate për mediat, QKUM theksoi se ambulancat dhe ekipet e Urgjencës Mjekësore kanë si detyrë kryesore dhënien e ndihmës urgjente dhe shpëtimin e jetëve, pa dallim për çdo qytetar që ka nevojë për kujdes mjekësor.
Të lidhura
None found
Institucioni bëri të ditur se gjatë protestave ekipet qëndrojnë në gatishmëri për çdo rast që kërkon ndërhyrje, ndërsa paralelisht vijojnë të trajtojnë edhe urgjencat e tjera mjekësore.
Në Tiranë, fluksi i zakonshëm arrin në rreth 250–280 vizita dhe ndërhyrje në ditë. Gjatë ditëve të protestave, këtij numri i janë shtuar rreth 100 raste të tjera. Në rang kombëtar, Urgjenca Mjekësore përballon rreth 500 vizita çdo ditë.
QKUM paralajmëroi se bllokimi i ambulancave, vonesat në lëvizje apo cenimi i personelit dhe pajisjeve mjekësore mund të pengojnë dhënien në kohë të ndihmës për personat në rrezik.
Qendra u kërkoi qytetarëve dhe protestuesve të respektojnë ambulancat, të mos ndërhyjnë në lëvizjen e tyre dhe të mos pengojnë punën e stafit mjekësor. Sipas QKUM-së, automjetet e urgjencës duhet të lejohen të kryejnë detyrën e tyre në çdo rrethanë.
Institucioni sqaroi gjithashtu se çdo pretendim mbi përdorimin e ambulancave jashtë misionit të tyre duhet të vlerësohet mbi bazën e fakteve dhe të verifikohet nga institucionet përgjegjëse.
Ambulancat janë në shërbim të jetës dhe nuk duhet të pengohen, pasi çdo vonesë mund të ketë pasoja fatale.
QENDRA KOMBËTARE E URGJENCËS MJEKËSORE




