Ura e Kanionit të Madh Huajiang, mbi rrjedhën e lumit Beipanjiang, është ura e varur më e lartë në botë. Ajo ndodhet në qarkun autonom Miao të Bouyei dhe është pjesë e një autostrade që lidh Distriktin Liuzh me Qarkun Anlong.
Ndërtimi filloi në janar 2022 dhe u hap për qarkullim më 28 shtator 2025, është rreth 2.89 km e gjatë, me një hapësirë kryesore prej 1.42 km.
Të lidhura
None found
Në prill të vitit 2026, Guinness World Records e certifikoi zyrtarisht si urën më të lartë në botë, me lartësi të verifikuar 626.01 m.
Duhet thënë që në fillim se ura nuk është vetëm një vepër infrastrukturore, por edhe një destinacion turistik, lartësia, përmasat dhe peizazhi spektakolar rreth saj e bëjnë atë një pikë tërheqëse për turistët vendas dhe ndërkombëtarë.
Brenda kësaj vepre, inxhinieria moderne dhe turizmi ndërthuren në mënyrë të drejtpërdrejtë, fakt që tregon se një urë e ndërtuar për të përmirësuar transportin dhe lidhjen mes zonave mund të shndërrohet njëkohësisht në simbol të destinacionit dhe në motiv për ta vizituar atë.
Vepra, krahas destinacionit të saj kryesor, do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të zonës, pasi është e kuptueshme që rritja e numrit të vizitorëve krijon mundësi për zhvillimin e hoteleve, restoranteve, guidave turistike, transportit dhe bizneseve të tjera lokale, si dhe ndihmon në promovimin e imazhit të rajonit.
Një strukturë e tillë spektakolare bëhet pjesë e identitetit të zonës dhe do të shërbejë si element i fuqishëm në marketingun turistik të saj.
Duhet theksuar se infrastruktura moderne mund të krijojë gjithmonë përvoja turistike, vizitorët nuk tërhiqen vetëm nga destinacionet tradicionale, por gjithnjë e më shumë edhe nga monumentet e inxhinierisë, ku vetë teknologjia dhe arkitektura bëhen pjesë e përvojës së udhëtimit.
Karakteristikat e urës së varur
Ura është ndërtuar duke përdorur beton me rezistencë të lartë, çelik të përforcuar dhe mbështetet në dy kulla: Kulla Veriore është 262 metra e lartë, ndërsa Kulla Jugore, 205 metra e lartë.
Nga pikëpamja estetike, projektuesit e urës dëshironin t’i jepnin strukturës një pamje klasike, e cila të mbetet tërheqëse edhe me kalimin e viteve. Kjo vihet re veçanërisht te lidhjet midis kullave të cilat të kujtojnë stilin Art Deco.
Lidhja shumëkatëshe në pjesën e sipërme të kullës, me tërheqjet dhe nivelet e saj spektakolare, mund t’u kujtojë të interesuarve Urën Golden Gate të San Franciskos.
Si funksionon ura
Siç u trajtua edhe më lart, ura e Kanionit të Madh Huajiang është një urë e varur, që do të thotë se sipërfaqja (kuverta e urës, rruga) ku kalojnë automjetet, është e lidhur me kabllo çeliku.
Kabllot kryesore përballojnë fillimisht ngarkesat strukturore të shkaktuara nga pesha dhe ngarkesat që ushtrohen mbi pjesën rrugore të saj, ndërsa më pas kabllot dytësore, të quajtura edhe tirantë vertikalë më të holla se kabllot kryesore, të cilat lidhin kabllot kryesore me sipërfaqen dhe shpërndajnë peshën në mënyrë të njëtrajtshme përgjatë hapësirës.
Sistemi i kabllove u transferon dy kullave mbajtëse ngarkesat që vijnë nga pesha e pjesës rrugore, ndërsa ato i transferojnë këto ngarkesa më pas në tokë.
Si në të gjitha urat moderne të varura, struktura e sipërfaqes së urës është ndërtuar me një traversë metalike në formë rrjete, për të garantuar ngurtësi dhe rezistencë ndaj erës. Në skajet e urës, kabllot kryesore janë ankoruar fort në struktura masive prej betoni të armuar ose në shkëmbinj, pasi duhet të përballojnë forcën e jashtëzakonshme të tërheqjes së ushtruar nga kabllot.
Jo vetëm urë, por edhe atraksion turistik
Ajo që është e veçantë dhe besoj me interes për lexuesin, lidhet me faktin se ura e Kanionit të Madh Huajiang nuk është konceptuar vetëm si një vepër e madhe e inxhinierisë civile, por edhe si një atraksion i mirëfilltë turistik, që synon të tërheqë vizitorë nga e gjithë bota për t’u mundësuar atyre të shijojnë bukurinë e peizazhit dhe natyrën e paprekur përreth, të “shikojnë” arritjet e inxhinierisë moderne dhe të kuptojnë si kjo inxhinieri lidhet me zhvillimin e industrisë turistike të rajonit në mënyrë që vepra të jetë shumëdimensionale.
Atraksioni i parë është një ashensor prej xhami që ngjitet deri në majë të Kullës Jugore. Atje vizitorët mund të qëndrojnë në “Stargazing Bar and Café”, i vendosur drejtpërdrejt midis dy pjesëve kryesore të kabllove në një lartësi prej më shumë se 180 metrash mbi kuvertën e urës.
Poshtë kuvertës, ashensori do t’i çojë vizitorët brenda strukturës metalike, ku një shëtitore 800 metra e gjatë do të kalojë nëpër disa hapësira me dysheme prej xhami, të cilat të japin ndjesinë e “lundrimit” në ajër në lartësitë prej 224 dhe 404 metra mbi tokë.
Më tej ndodhet një platformë tjetër, ku shëtitorja prej rrjete metalike arrin një lartësi maksimale prej 620 metrash mbi lumin Beipan.
Prej këtu, kërcimi më i lartë në botë i njohur si “Bungy”, do t’u mundësojë vizitorëve aventurierë të hidhen në hapësirën e lirë të Kanionit të Madh Huajiang, ndërsa për më pak të stërviturit, platforma e fundit e urës ofron panele të tjera prej xhami ku mund të ecet, si dhe një tjetër lokal ku vizitorët konsumojnë ushqim duke vëzhguar pamjen e kanionit të lumit.
Në zonën rreth urës së Kanionit Huajiang do të ndërtohet gjithashtu një qendër e madhe turistike në stilin e Zaha Hadid, e cila do të paraqesë zhvillimet e “Urës së varur”, historinë e lashtë të kanionit dhe të banorëve të tij.
Ata që dëshirojnë të eksplorojnë më tej zonën mund të qëndrojnë në shtëpiza turistike private me pamje nga ura, duke i dhënë vetes kohë për një udhëtim më të qetë me makinë drejt fundit të kanionit, atje ku një urë e vjetër me zinxhirë e vitit 1898 do të ofrojë një sfond historik për 125 vitet e fundit të zhvillimit të urave në Kinë.
Në përfundim, ura 625 metra mbi lumë në Kinë përfaqëson shumë më tepër sesa një arritje të jashtëzakonshme të inxhinierisë moderne.
Ajo dëshmon se infrastruktura mund të shndërrohet në një faktor të rëndësishëm të zhvillimit turistik dhe ekonomik të një zone. Madhështia e saj, lartësia dhe peizazhi përreth krijojnë një atraksion që tërheq vizitorë dhe i japin rajonit një identitet të veçantë në hartën turistike.
Në këtë mënyrë, inxhinieria dhe turizmi ndërthuren, teknologjia ndërton urën, ndërsa peizazhi, përvoja dhe kurioziteti i vizitorëve e shndërrojnë atë në destinacion, në ikonë turistike.
Vepra tregon se kur projektet e mëdha infrastrukturore ndërthuren me potencialin natyror dhe turistik të një territori, mund të ndikojnë jo vetëm në përmirësimin e lidhjeve dhe transportit, por edhe në promovimin dhe zhvillimin afatgjatë të zonës./Monitor







