Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se institucionet përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë janë ndëshkuar me gjoba pas një inspektimi të realizuar nga inspektorati i ministrisë.
Të lidhura
None found
Përmes një reagimi në Facebook, Pacolli ka deklaruar se inspektimi evidentoi një situatë të rëndë mjedisore, e cila, sipas saj, përbën rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve.
Ajo ka kërkuar përgjegjësi nga zinxhiri drejtues, duke iu referuar edhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për gjendjen e krijuar.
Pacolli ka kritikuar institucionet që kanë për detyrë menaxhimin e mbeturinave, duke rikujtuar se ky është një funksion themelor i qeverisjes lokale.
Ministrja e ka cilësuar të papranueshme bartjen e përgjegjësisë mes Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjes publike, duke thënë se një veprim i tillë synon të mbulojë dështimin në përballimin e situatës.
“Neglizhenca nuk mund të normalizohet. Kushdo që nuk i kryen detyrat dhe i lë qytetarët të përballen me këtë rrezik, duhet të mbajë përgjegjësi të plotë, pa pasur mundësi t’i shmanget asaj duke e pasuar fajin te tjetri”, ka shkruar ajo.
Në përmbyllje të reagimit, Pacolli ka paralajmëruar se ligji do të zbatohet dhe se pasojat e dështimit do t’u ngarkohen të gjithëve, pa përjashtim, që po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.







