Raphinha zbulon vendimin që ndryshoi pas takimit me Flickun: Isha i bindur se do të largohesha

Raphinha ka treguar se para mbërritjes së Hansi Flickut e kishte marrë tashmë vendimin për t’u larguar nga Barcelona, por një bisedë me trajnerin gjerman e bëri të ndryshonte qëndrim.

Të lidhura

None found

Anësori brazilian ishte përmendur vazhdimisht si kandidat për t’u larguar nga “Camp Nou” gjatë verës së vitit 2024. E ardhmja e tij në Kataloni ishte e paqartë dhe pozita në formacionin e Barcelonës dukej gjithnjë e më e pasigurt.

Situata ndryshoi pas emërimit të Flickut në krye të skuadrës. Një takim mes të dyve i dha Raphinhas besimin për të qëndruar dhe për të luftuar për një rol të rëndësishëm në ekip.

Në vend që të largohej nga Spanja, braziliani u bë një prej figurave kryesore të Barcelonës dhe e ndihmoi klubin të fitonte trofe në garat vendore gjatë sezonit 2024/25.

Paraqitjet e tij në atë edicion ishin mbresëlënëse: Raphinha shënoi 34 gola dhe dhuroi 26 asistime në 57 ndeshje.

“Në mendjen time, gjithçka ishte e qartë: do të largohesha. Ky ishte vendimi që kisha marrë”, deklaroi Raphinha në një intervistë për gazetën britanike The Guardian.

Ai tregoi se ndodhej në Brazil kur mori telefonatën nga Flicku. “Më kërkoi të takoheshim për të biseduar para se të merrja vendimin përfundimtar. Kur u takuam, më tha se besonte tek unë, se do të isha i rëndësishëm për skuadrën dhe se stili i lojës do të më përshtatej”.

“Ndonjëherë, në një moment të tillë, mjaftojnë disa fjalë për ta ndryshuar të gjithë situatën”, shtoi ai.

Sipas Raphinhas, besimi i shfaqur nga trajneri ishte vendimtar për të. “E kuptova se Flicku kishte shumë besim tek unë. Ai më dha sigurinë për të luajtur futbollin tim. Atëherë mora një vendim të qartë: të jepja gjithçka, madje edhe jetën time, pavarësisht rrethanave personale në të cilat ndodhesha”.

Braziliani e cilësoi raportin mes trajnerit dhe lojtarit si një element thelbësor në futboll. “Kjo marrëdhënie është më e rëndësishmja. Që nga ardhja e Flickut, mund të flisnim me të për çdo gjë, dhe kur them çdo gjë, e kam fjalën për çdo gjë”, u shpreh ai.

Raphinha rrëfeu edhe një episod tjetër me trajnerin gjerman. “Një ditë e pashë me kokën të ulur. Në fillim nuk e kuptova se çfarë kishte, ndaj e pyeta. Ai më tha se mendonte që skuadra nuk po luante mirë”.

“Nëse më kujtohet saktë, i thashë se nuk kishte arsye për shqetësim, sepse kishim fituar dhe do të luanim mirë sërish. Gjithmonë do të preferoja të fitoja duke luajtur keq, sesa të humbisja duke luajtur mirë. Fillimisht fito ndeshjet dhe fito vetëbesim, ndërsa loja e mirë vjen më pas”, përfundoi Raphinha.


Shtuar më 16.10.2026 20:15