Liqeni i Ohrit merr 100 mijë trofta të reja

Njëqind mijë ekzemplarë të vegjël të troftës së Ohrit u hodhën sot në liqen. Peshqit kanë peshë mesatare prej 4,2 gramësh dhe lëshimi i tyre shënon përfundimin e ripopullimit për këtë vit, bëri të ditur ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, gjatë vizitës në Institutin Hidrobiologjik në Ohër.

Të lidhura

None found

Serafimovski tha se puna për rimëkëmbjen e popullatës së troftës së Ohrit po jep rezultate më shumë se të kënaqshme. Në gusht dhe shtator, zonat e peshkimit në liqen u pasuruan me gjithsej 6,5 tonë peshq të rinj të kultivuar, ose 1,6 tonë më shumë se sasia prej 4,9 tonësh e parashikuar në fillim.

Gjatë këtij viti në liqen janë lëshuar edhe 100 mijë trofta më të mëdha, të riprodhuara vitin e kaluar, me peshë mesatare prej 16 gramësh. Sipas ministrit, ky hap ndihmon në kompensimin e mungesës së ripopullimit në vitet 2019–2023, kur u ndërpre riprodhimi artificial i troftës së Ohrit.

Për të vijuar përpjekjet për rimëkëmbjen e popullatës, është lidhur marrëveshje me Institutin Hidrobiologjik për ciklin e ardhshëm të riprodhimit artificial dhe ripopullimit të liqenit, që do të zhvillohet në vitin 2027. Plani parashikon lëshimin e 1.550.000 ekzemplarëve të rinj të troftës së Ohrit.

Instituti Hidrobiologjik do të zbatojë aktivitetet dhe do të ndjekë rezultatet e tyre, me mbështetjen institucionale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.


Shtuar më 16.10.2026 19:04