Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka reaguar për protestën që prej 4 ditësh po zhvillohet në Tiranë. Në një letër të gjatë të publikuar në faqen e saj në Facebook dhe drejtuar kryeministrit Edi Rama, ajo i kërkon atij të ndërhyjë me një zgjidhje politike.
“Ed’, imagjinoje veten mes protestuesve, në një turmë njerëzish që kanë dalë në rrugë sepse ndihen të padëgjuar, të papërfaqësuar, të zhgënjyer dhe të lodhur. Mendoje veten jo si kryeministër që e ndjek protestën nga larg nëpërmjet ekraneve, por si një i ri mes qytetarëve, që dëgjon thirrjet dhe ndien frikën. Mbi të gjitha, kupto se ky zemërim nuk ka nisur sot.
Të lidhura
None found
Gjithçka filloi me kangjellat e vendosura për të ndarë njerëzit nga hapësira e tyre, qytetarin nga qyteti dhe protestën nga institucioni. Në pamje të parë mund të dukej si një mosmarrëveshje për një hapësirë publike, për pemët, betonin apo mënyrën e marrjes së një vendimi. Por ato kangjella u shndërruan shpejt në simbol të një pushteti që krijon barriera mes vetes dhe qytetarëve.
Prej kangjellave u kalua te zemërimi, e më pas te përplasja. Sot Tirana është në flakë, një pamje që i dhemb kujtdo që e do Shqipërinë. Kjo duhet parë me kthjelltësi, jo thjesht si një seri ngjarjesh, por si një mesazh politik.
Kur qytetari nuk gjen më një derë ku të trokasë, del në rrugë. Kur edhe rruga nuk dëgjohet, zemërimi shtohet. Dhe kur pushteti e interpreton çdo kritikë si komplot, çdo protestë si kërcënim dhe çdo kundërshtar si armik, shoqëria nis të komunikojë përmes dhunës.
Dhuna nuk mund të shërbejë si rrugë për ndryshim politik, ashtu siç nuk mund të pranohet dhuna sistemike që prodhohet nga vendime të gabuara. Kriza nuk zgjidhet me deklarata nga zyrat, me largësi nga njerëzit apo me justifikime politike. Ajo kërkon dëgjim të drejtpërdrejtë, pranimin e problemeve, marrjen e përgjegjësisë politike dhe vendime që japin rezultat.
Njeriu nuk revoltohet vetëm për atë që i mungon. Ai revoltohet edhe kur ndien se askush nuk e dëgjon. Pushteti që nuk dëgjon njeriun, sado i fortë të duket, nis të dobësohet, sepse prek ndjenjën më të thellë njerëzore: dinjitetin.
Nëse pyet se çfarë duhet bërë tani, përgjigjja është e qartë: jepi situatës një zgjidhje politike, pa tabu, pa kufizime dhe pa frikë. Dil përballë qytetarëve. Mos u mbështet vetëm te shumica, institucionet apo numri i mandateve. Prano se besimi fitohet përmes përgjegjësisë dhe veprave.
Të rinjtë që janë pjesë e protestës nuk kërkojnë vetëm qetësi. Ata duan drejtësi, dinjitet, transparencë dhe garanci. Zëri i tyre nuk mund të merret parasysh vetëm kur rrugët mbushen dhe zemërimi bëhet i pamundur për t’u injoruar.
Këtë herë protestuesit nuk kanë dalë vetëm për kangjellat. Ata kundërshtojnë mënyrën se si merren vendime për ta, pa praninë dhe pa zërin e tyre. Protestojnë për një administratë ku punësimi shpesh lidhet me arsye të errëta dhe jo me meritën. Protestojnë sepse jeta e tyre mund të ndryshojë nga arbitrariteti, ndërsa nuk kanë ku të kërkojnë llogari.
Kanë dalë edhe kundër një ekonomie ku lidhjet me pushtetin vlejnë më shumë se puna dhe ku përzgjedhja zë vendin e konkurrencës. Protestojnë për një drejtësi që shpesh vonon, për një politikë që kërkon votën e tyre, por që gjithnjë e më pak sjell ndryshim, ndërsa fituesit mburren dhe humbësit zhduken nga vëmendja. Kanë dalë për mbrojtjen e të pambrojturve dhe kundër nëpërkëmbjes së moralit politik.
Kërkesat e tyre janë të shumta, por po shpërfillen. Dhuna nuk mund të jetë zgjidhje politike, por as fikja e zjarrit nuk mjafton për t’iu përgjigjur krizës. Ajo që po ndodh është një tronditje e besimit, një dobësim i legjitimitetit dhe një paralajmërim se mënyra e qeverisjes duhet të ndryshojë.
Protesta nuk duhet parë vetëm si rrezik për pushtetin. Ajo mund të shërbejë si mundësi për të kuptuar çfarë po ndodh me vendin dhe me njerëzit që qeveris. Nëse synon të mbrosh atë që është ndërtuar, duhet të jesh i pari që hap rrugën e ndryshimit.
Pushteti nuk rrëzohet gjithmonë nga kundërshtarët. Shpesh ai dobësohet nga paaftësia për të kuptuar kohën. Historia ka ndëshkuar ata që kanë besuar se një shumicë parlamentare mund të zëvendësojë besimin e qytetarëve.
82 mandatet nuk janë një leje për të mos dhënë llogari. Ato përbëjnë përgjegjësi për të qeverisur edhe qytetarët që nuk na kanë votuar.
Njerëzit nuk kërkojnë privilegje. Ata duan që shteti të mos jetë i ashpër vetëm me të dobëtit, që pushtetet të jenë të ndara dhe të përgjegjshme, që administrata të mos përdoret si mjet presioni dhe që punësimi të mos varet nga lidhjet. Kërkojnë që favoret të mos shpërndahen përmes marrëdhënieve preferenciale dhe që drejtësia të mos vijë vetëm pasi dëmi është shkaktuar. Ata duan luftë kundër monopoleve dhe një jetë të përballueshme e njerëzore.
Qytetari që humbet vendin e punës ose nuk promovohet sepse refuzon të hyjë në një pazar nuk është statistikë. Biznesi që mbyllet pasi nuk ka lidhje me pushtetin nuk është thjesht një humbës në treg. Familja që pret për vite drejtësinë nuk është vetëm një dosje, ndërsa familja punëtore që nuk arrin të përballojë jetën nuk është një përjashtim.
Të gjithë këta janë njerëz që gradualisht humbin bindjen se shteti u përket edhe atyre. Një kastë e privilegjuar nuk mund të mbrohet në emër të qeverisjes. Po ashtu, nuk mund të mbrohen të plotfuqishmit që përdorin pushtetin për të shkelur njerëzit, pronën, biznesin dhe parimet. Përgjegjësia ligjore nuk e zëvendëson përgjegjësinë politike.
Korrupsioni nuk luftohet vetëm përmes SPAK-ut apo prokurorisë. Ai luftohet duke ndërtuar një model ekonomik dhe institucional ku konkurrenca është e ndershme dhe ku suksesi nuk varet nga lidhjet me pushtetin.
Një shtet vlerësohet jo vetëm nga rrugët që ndërton, por edhe nga drejtësia që garanton. Nuk mjaftojnë shifrat e rritjes; rëndësi ka mënyra se si jeton qytetari i zakonshëm. As numri i investimeve nuk është i mjaftueshëm, nëse njerëzit nuk kanë mundësi të jetojnë me dinjitet, të konkurrojnë dhe të ndërtojnë jetën e tyre të lirë.
Institucioneve u duhet një ripërtëritje morale. Në qendër të politikës duhet të jetë njeriu dhe dinjiteti i tij, jo interesi i atyre që zotërojnë pushtet të pakufizuar dhe të pajustifikuar.
Institucionet nuk qëndrojnë vetëm falë godinave dhe ligjeve, por edhe përmes besimit të qytetarëve. Kur ligji zbatohet vetëm ndaj të dobëtit, ai nuk përfaqëson më drejtësinë, por frikën e organizuar. Kur një institucion mbron vetëm të fortin, ai nuk është më shtet, por një mur që ngrihet përballë qytetarit.
Protesta kërkon një përgjigje politike dhe jo vetëm një reagim policor. Ajo kërkon një tryezë të vërtetë dialogu kombëtar për reformat themelore, për një sistem zgjedhor konsensual që siguron përfaqësim real, për ndarjen e partisë nga shteti dhe për çlirimin e institucioneve nga përdorimi politik.
Nuk mund të kërkohet qetësi duke ua mbyllur gojën të rinjve, pavarësisht sa i fortë është zëri i tyre i revoltuar. Qetësia e vërtetë nuk është mungesa e zhurmës, por prania e drejtësisë. Një shoqëri nuk është e qetë vetëm sepse nuk proteston; ajo është e qetë kur qytetarët besojnë se mund të sjellin ndryshim pa u përplasur.
Deputetët nuk mund të varen vetëm nga listat e mbyllura dhe nga nevoja për mbijetesë politike. Nevojiten më shumë konkurrencë dhe liri, si dhe më pak kontroll mbi jetën e njerëzve. Deputeti duhet t’i japë llogari qytetarit, jo vetëm kryetarit të partisë. Në të kundërt, parlamenti shndërrohet në një sallë numërimi ku votat mblidhen, ndërsa zërat shuhen.
Edhe Partia Socialiste duhet të ketë guximin të ndryshojë përmes zgjedhjeve të vërteta brenda saj, meritës, vetëkorrigjimit, përgjegjësisë dhe hapjes së rrugës për një brez të ri drejtuesish.
Duhet të mblidhen strukturat e PS-së dhe të marrin vendime. Procesi i ndryshimeve duhet udhëhequr, ndërsa miti i pazëvendësueshmërisë nuk duhet forcuar. Është koha që kultura e individit t’ia lërë vendin kulturës së institucionit.
Një parti që nuk arrin të ndryshojë nga brenda, herët a vonë detyrohet të ndryshojë nga jashtë. Ndryshimi i imponuar nga rruga është gjithmonë më i dhimbshëm se ai që mendohet dhe ndërmerret në kohë.
Nuk duhen njerëz që i qëndrojnë besnikë partisë me çdo kusht, por një parti që i qëndron besnike Shqipërisë.
Edhe rotacioni politik, edhe zgjedhjet e reja duhet të jenë pjesë e diskutimit demokratik. Ato nuk duhen konsideruar kërcënim nëse zhvillohen me garanci për konkurrencë të lirë dhe pjesëmarrje të gjithëve. Zgjedhjet duhet të shërbejnë për të rikthyer besimin, jo për të thelluar ndarjen e vendit në kampe armiqësore.
Demokracia nuk është pronë e fituesit. Ajo është përgjegjësi e atij që fiton dhe mbrojtje për atë që humbet.
Kur zgjedhjet trajtohen vetëm si mënyrë për të marrë pushtetin, ato shndërrohen në një ritual bosh dhe në një lodhje pa kuptim. Kur shihen si mekanizëm për t’i dhënë qytetarit zë, ato bëhen themel i shtetit dhe garanci e zhvillimit.
Shtigjet demokratike duhet të hapen kudo, në mënyrë që rrugët të mos mbyllen nga barrikadat. Është koha e ndryshimit dhe kjo duhet ndier si një përgjegjësi e madhe.
Nuk mjafton të thuhet se vendi po ecën përpara kur një pjesë e madhe e qytetarëve ndihet e harruar. Nuk mjafton të flitet për modernizim nëse të rinjtë nuk e shohin veten pjesë të së ardhmes. As fitorja numerike në zgjedhje nuk mjafton kur humbet besimi i njerëzve.
Nga kangjellat deri te flakët që sot shihen në qendër të Tiranës, mesazhi është i qartë: njerëzit nuk duan të jetojnë në një vend ku pushteti i trajton si numra, si vota për t’u mbledhur ose si turma për t’u menaxhuar. Ata kërkojnë të shihen si qytetarë dhe individë me të drejtë për të kundërshtuar dhe për të kërkuar llogari.
Politika duhet të jetë aty ku njerëzit presin përgjigje. Përgjigjja që qytetarët presin prej teje nuk është një fjalim tjetër, por një vendim.
Ky duhet të jetë një vendim për të mos e mbrojtur pushtetin me çdo kusht, për të mos i quajtur armiq ata që kërkojnë drejtësi dhe për të mos e ngatërruar heshtjen me paqen apo bindjen me besnikërinë.
Shqipëria duhet të jetë mbi të gjitha, jo partia dhe as pushteti. Në këtë moment nuk mjafton fitorja në zgjedhje. Duhet rikthyer besimi dhe duhet të fitojë Shqipëria.
Shoqëria nuk duhet mposhtur, por lartësuar.
“Ti, idealisti i dikurshëm, intelektuali që tallej me banalitetin dhe që në 2013 shumë të djathtë të panë me simpati, mundesh.
Këto fjalë t’i thotë një njeri që të çmon dhe që beson se e mira brenda teje është pakrahasimisht më e madhe se gjithçka tjetër.
Elisa”





