Përplasje e fortë në Spanjë: Real Madridi kërkon largimin e Javier Tebasit pas krahasimit me propagandën naziste

Real Madridi ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Javier Tebasit nga drejtimi i La Ligës, pas komenteve të tij të cilësuara nga klubi si të papranueshme dhe kontroverse.

Përmes një deklarate zyrtare, klubi madrilen ka dënuar krahasimin e bërë nga Tebasi mes mënyrës së veprimit të drejtuesve të Real Madridit dhe metodave të Joseph Goebbelsit, ministrit të Propagandës në regjimin nazist.

Të lidhura

None found

Sipas Real Madridit, në këtë paralelizëm presidenti i La Ligës ka përfshirë edhe televizionin zyrtar të klubit.

Klubi ka kërkuar që Tebasi të japë dorëheqjen edhe nga posti i zëvendëspresidentit të Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës.

“Në përgjigje të deklaratave të Javier Tebasit, president i La Ligës dhe zëvendëspresident i Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës, përmes të cilave ai barazon metodat e veprimit të drejtuesve të Real Madridit me ato të përdorura nga Joseph Goebbels, ministri i Propagandës në regjimin nazist, ndërsa televizionin e Real Madridit e paraqet si pjesë të kësaj strategjie të supozuar, Real Madridi kërkon dorëheqjen e tij të menjëhershme nga të dyja postet”, thuhet në komunikatën e klubit.

Real Madridi ka theksuar se do të vijojë të mbrojë interesat dhe imazhin e tij institucional. Në të njëjtën kohë, klubi kërkon që çështja Negreira, një prej skandaleve më të mëdha të futbollit spanjoll, të zbardhet plotësisht.

“Real Madridi do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe prestigjin e tij institucional, të kërkojë zbardhjen e plotë të çështjes Negreira, si dhe rigjenerimin e nevojshëm të futbollit spanjoll”, përfundon reagimi.


Shtuar më 16.10.2026 17:10