Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni kanë pranuar fajësinë për akuzat që lidhen me korrupsionin dhe vepra të tjera penale në Telekomin e Kosovës, ndërsa Trim Musliu, Kreshnik Musliu, Armend Osaj dhe Fatbardh Abazaj janë shprehur të pafajshëm.
Të lidhura
None found
Deklaratat e tyre u dhanë gjatë seancës fillestare të drejtuar nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, bën të ditur “Betimi për Drejtësi”.
Para kësaj, avokatja e Cemanit, Merita Bajraktari, i kërkoi trupit gjykues që të miratonte pranimin e fajësisë, duke theksuar se klienti i saj ishte konsultuar më herët dhe ishte i vetëdijshëm për avantazhet dhe pasojat që sjell ky veprim.
Po ashtu u shpreh edhe mbrojtësja e Hysenit, avokatja Arbenita Aliu.
Prokurori special Rafet Halimi e mbështeti pranimin e fajësisë dhe sugjeroi që gjykata ta miratonte atë, ndërsa shpallja e dënimit të shtyhet deri në mbylljen e procedurës për të pandehurit e tjerë, duke pasur parasysh se Hyseni dhe Ceman janë dëshmitarë bashkëpunues.
Gjyqtarja Namani-Hajra e miratoi pranimin e fajësisë, duke vlerësuar se ishte bërë pas konsultimit të plotë me avokatët mbrojtës. Ajo njoftoi se shpallja e vendimit për ta do të pezullohet deri në përfundimin e procedurës për të pandehurit e tjerë.
Të pandehurve që nuk e pranuan fajësinë iu caktua një afat prej 30 ditësh për të paraqitur kundërshtime ndaj provave dhe kërkesë për hedhjen poshtë të aktakuzës.
Në seancën fillestare të datës 5 nëntor 2024, Ceman dhe Hyseni e kishin pranuar fajësinë, por pas ndërrimit të kryetarit të trupit gjykues, procesi filloi nga fillimi.
Çfarë përmban dosja e Prokurorisë për Trim Musliun dhe të tjerët?
Sipas aktakuzës së ngritur më 26 qershor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në këtë rast përballen me drejtësinë Trim Musliu, Armend Osaj, Denis Ceman, Kreshnik Musliu, Alban Limani, Fatbardh Ajvazi dhe Gazmend Hyseni.
Në pikën e parë të aktakuzës thuhet se Trim Musliu, nga 21 janari 2019 deri më 24 prill 2019, në pozitën e drejtorit të marketingut në Telekomin e Kosovës, për të siguruar përfitime të paligjshme, përvetësoi pasurinë e ndërmarrjes. Konkretisht, sipas aktakuzës, ai nënshkroi kontratë me “Zone Mobile” për furnizim me 239 telefona celularë, prej të cilëve 153 i mbajti për vete. Në një dorëzim të dytë me 16 telefona celularë, ai dyshohet se mori edhe 11 të tjerë, duke arritur vlerën totale prej 164.847 euro e 83 centë për pajisjet e përvetësuara.
Për këto veprime, Musliu përballet me akuzën për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, sipas nenit 425, paragrafi 1, në lidhje me paragrafin 3 të Kodit Penal.
Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se Armend Osaj, nga 3 deri më 30 shtator 2019, si drejtor i Financave dhe Thesarit në Telekomin e Kosovës, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, përvetësoi pasurinë e kompanisë. Sipas aktakuzës, ai nënshkroi kontratë me “Zone Mobile” për furnizim me telefona celularë, USB dhe modemë, në vlerë prej 207.733 euro e 10 centë. Nga 305 telefona të pranuar gjithsej, ai dyshohet se mbajti 48, me vlerë 32.692 euro e 32 centë.
Për këto veprime, Osaj përballet me akuzën për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, sipas nenit 418, paragrafi 1, në lidhje me paragrafin 3 të Kodit Penal.
Në pikën e tretë të aktakuzës përfshihen Trim Musliu, Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman. Sipas aktakuzës, nga 1 nëntori deri më 31 dhjetor 2020, në bashkëkryerje, ata falsifikuan dokumente me synim që t’i përdornin si origjinale.
Aty thuhet se Trim Musliu, pasi mori vesh se ishte nën hetim, i kërkoi vëllait të tij, Kreshnikut, të krijonte dokumente të falsifikuara. Sipas Prokurorisë, Kreshniku dhe Denisi udhëtuan në Pejë dhe Istog, ku u paraqitën me logon e “Valës” te biznese të ndryshme dhe i ftuan të aplikonin për marrjen e telefonave celularë. Më pas, ata dyshohet se i vulosën ofertat me vulat e bizneseve dhe ia dorëzuan ato Trim Musliut.
Sipas aktakuzës, të njëjtën mënyrë e përdorën edhe me persona të tjerë, por asnjë nga qytetarët nuk mori telefona celularë. Dokumentet e vulosura me vulat e bizneseve, Musliu dyshohet se i dorëzoi në Telekomin e Kosovës dhe në Policinë e Kosovës, për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
Për këto veprime, Trim dhe Kreshnik Musliu, si dhe Denis Ceman, përballen me akuzën për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, sipas nenit 390, paragrafi 1, në lidhje me paragrafin 3 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Në pikën e katërt të aktakuzës, Armend Osaj akuzohet se, nga 1 nëntori deri më 31 dhjetor 2020, kishte falsifikuar dokumente me synim që t’i përdorte si origjinale. Sipas aktakuzës, pasi mësoi se ishte nën hetim për përvetësimin e 48 telefonave celularë, ai dyshohet se krijoi dokumente sipas të cilave pajisjet ishin pranuar nga individë, për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
Për këto veprime, Osaj përballet me akuzën për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, sipas nenit 390, paragrafi 1, në lidhje me paragrafin 2 të Kodit Penal.
Në pikën e pestë të aktakuzës përfshihen Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi, të cilët, sipas Prokurorisë, nga 21 janari deri më 6 mars 2019, si pronarë të “Zone Mobile”, për përfitime të paligjshme pasurore, paraqitën fakte të rreme dhe shkelën me vetëdije kushtet e kontratës.
Sipas aktakuzës, ata furnizuan Telekomin e Kosovës me mallra që nuk përputheshin me specifikimet e kontratës dhe dorëzuan telefona pa dëshmi për origjinën e tyre. Prokuroria pretendon se “Zone Mobile” nuk kishte kryer blerje vendore dhe nuk kishte importuar nga shtete të tjera, ndërsa Telekomi ishte mashtruar se furnizimi me mallra, në vlerë prej 229.715 euro e 50 centë, ishte realizuar.
Për këto veprime, Limani dhe Ajvazi përballen me akuzën për veprën penale “Mashtrimi”, sipas nenit 335, paragrafi 1, në lidhje me paragrafin 5 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Në pikën e gjashtë të aktakuzës, Limani dhe Ajvazi ngarkohen se, nga 2 deri më 18 shtator 2019, si pronar dhe menaxher i “Zone Mobile”, gjatë nënshkrimit të kontratës për furnizim me telefona celularë, USB dhe modemë, shkelën me vetëdije rregullat e prokurimit publik, duke furnizuar mallra që nuk përputheshin me specifikimet e kontratës së nënshkruar me Telekomin e Kosovës.
Për këto veprime, ata përballen me akuzën për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, sipas nenit 415, paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 3 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Në pikën e shtatë, Limani dhe Ajvazi akuzohen se, gjatë prillit 2021, paraqitën fakte të rreme për të mashtruar Telekomin e Kosovës lidhur me kontratën për furnizim me telefona celularë, USB dhe modemë. Sipas aktakuzës, pasi mësuan se ishin nën hetim, ata, në bashkëpunim me Gazmend Hysenin, krijuan dokumente të falsifikuara. Hyseni dyshohet se lëshoi fatura fiktive, të cilat Limani dhe Ajvazi ia dorëzuan Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 68.219 euro e 86 centë.
Për këto veprime, Limani dhe Ajvazi përballen me akuzën për veprën penale “Shmangia nga tatimi”, sipas nenit 307, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Në fund, pika e tetë e aktakuzës e ngarkon Gazmend Hysenin se, gjatë prillit 2021, si pronar i bizneseve “Versacoop” dhe “Kopex”, për përfitime të paligjshme pasurore, lëshoi dokumente të rreme për “Zone Mobile”, duke mashtruar Telekomin e Kosovës lidhur me kontratën për furnizim me telefona celularë, USB dhe modemë. Sipas aktakuzës, këto fatura Limani dhe Ajvazi ia dorëzuan ATK-së.
Për këto veprime, Hyseni përballet me akuzën për veprën penale “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin”, sipas nenit 308, paragrafët 2 dhe 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.







