Stojko Ramov është emëruar kryetar i ri i Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Maqedonisë (SASHK), pas zgjedhjes së tij në Kongresin e VIII-të të rregullt, të zhvilluar sot.
Të lidhura
None found
Gjatë mandatit të ardhshëm, ndër prioritetet kryesore do të jetë arritja e një marrëveshjeje kolektive për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe hartimi i një marrëveshjeje të re kolektive për kulturën. Sipas Ramovit, këto hapa synojnë përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale të punonjësve.
Ramov deklaroi se do të angazhohet për t’u rikthyer edukatorëve dinjitetin dhe pozitën që u takon në shoqëri. Ai nënvizoi se përpara sindikatës ka shumë punë, ndërsa shprehu shpresën për mirëkuptim nga partnerët socialë, në mënyrë që të përmirësohet statusi ekonomik dhe social i edukatorëve në të gjithë Maqedoninë.
Duke folur për kohën e nevojshme për përmbushjen e këtyre objektivave, kryetari i ri tha se nënshkrimi i marrëveshjeve do të varet nga vullneti dhe dakordimi i të dyja palëve në negociata.
Pas 16 vitesh në drejtimin e SASHK-ut, Jakim Nedelkov largohet nga kjo detyrë. Në Kongres, ai tha se krahas paraqitjes së rezultateve të periudhës së kaluar pesëvjeçare, priten edhe ndryshime në udhëheqjen e sindikatës. Në këtë ngjarje marrin pjesë rreth 270 delegatë nga i gjithë vendi./Telegrafi/





