Të premten pritet mbërritja e grupit të parë të shtetasve afganë për të cilët vendi ynë ofroi strehim vullnetarisht.
Për transportimin e tyre do të kujdesen SHBA-të dhe organizatat ndërkombëtare tek të cilat këto persona kanë qenë të angazhuar.
Me të mbërritur në vendin tonë përgjegjësia për akomodimin, rregullimin e statusit apo edhe risocializimin e tyre kalon tek trupi koordinues i formuar nga Qeveria e Maqedonisë.
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, i cili është pjesë e këtij grupi tha për Alsat se shtetasit Afganë tek ne do të qëndrojnë përkohësisht, por çfarë harku kohorë përfshin kjo, nuk e di askush. Akomodimi i tyre do të bëhet nëpër disa hotele në vend.
Sot flitet për 50 shtetas afganë më shumë, për dallim nga një ditë më parë, në total 450. Kryeministri Zoran Zaev tha se përveç strehimit dhe kujdesit shëndetësorë, do të bëhet edhe angazhim i tyre shoqëror, për sa kohë që do të qëndrojnë në vendin tonë. Së pari në vend do të mbërrijnë shtetasit afganë për të cilët Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë verifikimet e nevojshme. Ndërsa për sjelljen e këtyre 450 personave do të realizohen disa fluturime./Alsat