Kërkesa për raportimin e drejtorit të Policisë për protestën e 5 tetorit shkakton debat në Komisionin për Siguri

Komisioni për Siguri miratoi planin e punës për sesionin vjeshtor, i cili parasheh raportimin e institucioneve kryesore të sigurisë gjatë dhjetorit. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, kërkoi që drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, të paraqitet para komisionit në fund të tetorit për reagimin e Policisë gjatë protestës së 5 tetorit. Kërkesa nuk mori mbështetje dhe u pasua nga një debat i ashpër mes saj dhe deputetëve të LVV-së në komision.

Të lidhura

None found

Musliu e cilësoi reagimin policor ndaj protestës, në të cilën u kërkua miratimi i ligjit për Specialen, si joprofesional dhe joproporcional. Ajo tha se kishte marrë shumë ankesa nga qytetarët, përfshirë edhe raporte mjekësore për atë ditë, dhe kërkoi që drejtori i Policisë të japë shpjegime para legjislativit. Duke propozuar që ai të ftohej javën e fundit të tetorit, Musliu iu referua në deklaratën e saj “protestës së 5 marsit”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, kundërshtoi raportimin në këtë fazë. Sipas tij, për sa kohë vijojnë hetimet dhe analiza, është herët të kërkohen shpjegime; raportimi duhet të bëhet pasi të dhënat dhe gjetjet të jenë zyrtare.

Edhe deputeti i LVV-së, Ilir Qeriqi, u shpreh se paraqitja më herët ose më vonë në komision nuk do ta ndryshonte atë që kishte ndodhur. Ai kërkoi që organeve të hetimit t’u lihet hapësirë të përfundojnë punën pa ndikim apo ndërhyrje, e më pas të bëhet raportimi.

Musliu iu përgjigj se kërkimi i përgjegjësisë dhe ushtrimi i kontrollit demokratik mbi institucionin e sigurisë janë detyrime të komisionit, jo ndërhyrje në hetime. Ajo u tha deputetëve kundërshtues se, meqë ishin për herë të parë në Kuvend, do të ambientoheshin me punën dhe përgjegjësitë e komisionit.

Qeriqi reagoi duke vënë në dyshim njohuritë e Musliut për procedurat dhe hierarkinë e Policisë. Ai tha se anëtarësimi në komision nuk përbën arritje apo edukim përkatës dhe pretendoi se i njihte më mirë se ajo procedurat, kontrollin demokratik dhe strukturën policore.

Përveç planit të punës, komisioni miratoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.


Shtuar më 16.10.2026 11:48