Mickoski: Zgjedhjet e parakohshme mbeten të mundshme, por synojmë mandat të plotë

Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nuk përjashtohet, pasi në politikë “kurrë mos thuaj kurrë”. Megjithatë, ai nënvizoi se Qeveria synon ta përfundojë mandatin katërvjeçar, ndërsa OBRM-PDUKM-ja është e gatshme të përballet me zgjedhje në çdo moment.

Të lidhura

None found

Në një prononcim për “TV21”, Mickoski tha se mbyllja e çdo mundësie në politikë është gabim, ndaj duhet lënë gjithmonë hapësirë për zhvillime dhe politika të ndryshme.

Ai sqaroi se qeveria aktuale e ka fituar legjitimitetin për një mandat të plotë dhe se puna po përqendrohet në realizimin e objektivave deri në përfundimin e tij. Duke folur për pagën mesatare, Mickoski tha se arritja e nivelit prej 60.000 denarësh është e mundshme, por edhe mund të mos realizohet, ndërsa Qeveria do të bëjë çdo përpjekje për t’iu afruar këtij kufiri. Sipas tij, partia është gjithmonë e gatshme për zgjedhje, por fokusi mbetet te mandati katërvjeçar i marrë nga qytetarët.

Sa i përket bashkëpunimit me partnerin qeveritar VLEN, kryeministri u shpreh shumë i kënaqur me ministrat e këtij subjekti, duke theksuar se marrëdhëniet mes tyre funksionojnë mbi bazën e partneritetit.


Shtuar më 16.10.2026 10:10