Të rinjtë nuk ndalen deri në largimin e Ramës/ New York Times: Përshkallëzohen protestat në Tiranë! Zemërimi për arsimin dhe korrupsionin vë në vështirësi kryeministrin shqiptar

Protestat në Shqipëri, janë përshkallëzuar këtë javë, duke e çuar Tiranën në një situatë të tensionuar. Mijëra studentë dhe protestues kanë bllokuar rrugë, kanë djegur kosha mbeturinash dhe stacione autobusi, si dhe kanë sulmuar me gurë godina qeveritare dhe banka.

Në një artikull të publikuar nga New York Times, theksohet se zemërimi për kostot e larta të arsimit është bashkuar me pakënaqësitë për korrupsionin, rritjen e kostos së jetesës dhe projektin e një resorti luksoz në jug të Shqipërisë.

Të lidhura

None found

Sipas gazetës, protestat që prej muajsh zhvilloheshin për këto çështje janë shndërruar në përplasje të dhunshme në kryeqytet, ku në rrugë kanë dalë nxënës të shkollave të mesme, studentë universitarë dhe qytetarë të tjerë.

Anila Shehu, studente e vitit të tretë në degën e inxhinierisë, tha për gazetën se qytetarët kanë protestuar prej më shumë se katër muajsh, duke kërkuar largimin e kryeministrit, por pretendon se kërkesat e tyre nuk janë dëgjuar.

“Për këtë arsye, do të vazhdojmë të protestojmë me çdo mjet dhe në çdo mënyrë të mundshme, derisa Rama të japë dorëheqjen. Mjaft është mjaft”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, Emir Lecini, pjesëtar i grupit studentor që ndihmoi në nisjen e protestave, tha se situata është bërë e vështirë për t’u kontrolluar.

Sipas tij, protestave studentore u janë bashkuar edhe grupe tifozësh futbolli dhe qytetarë të tjerë të pakënaqur me qeverinë.

Lecini theksoi se kërkesa për dorëheqjen e Ramës mbetet e pandryshuar.

Në një reagim për Reuters, kryeministri ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, duke argumentuar se largimi nga detyra do të ishte tradhti ndaj qytetarëve që i kanë dhënë mandat për të përfunduar negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ndërkohë, protestuesit këmbëngulin se nuk do të ndalen pa dorëheqjen e tij.


Shtuar më 16.10.2026 09:11